Gjykata Kushtetuese vendos sot për orën policore gjatë coronavirus

Sot pritet të mbahet seanca e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar aneksën e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, mbi masat që Qeveria e Kosovës ndërmori për kufizimin e qarkullimit të njerëzve dhe automjeteve në vend pas shpërthimit të pandemisë së coronavirusit.

KALLXO.com merr vesh se seanca do të realizohet në distancë, përmes komunikimit virtual dhe pritet të fillojë pas orës 13:00.

Më 23 mars, shefi i Qeverisë së Kosovës, tani në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se ka marrë një varg masash për ndalimin e qarkullimit të njerëzve dhe automjeteve në tërë territorin e Kosovës.

Vdes personi i parë nga coronavirusi në Kosovë

Fillimisht, masat parashiheshin të ndalonin qarkullimin në dy periudha të ndryshe. Nga ora 10:00 paradite deri në ora 16:00 pasdite dhe nga ora 20:00 në mbrëmje deri në orën 06:00 në mëngjes.

E menjëherë pas këtij vendimi të ekzekutivit kosovar, kishte reaguar i pari i vendit, Hashim Thaçi.

Ai e kishte quajtur këtë vendim antikushtetues andaj më 24 mars iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar vendimin e qeverisë.

Ndërkohë, me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, orari i kufizimit të qarkullimit kishte ndryshuar. Tani, qarkullimi në vend lejohet nga ora 06:00 e mëngjesit deri në ora 17:00 pasdite ndërsa ndalohet nga ora 17:00 deri në ora 06:00 në mëngjes.

Thaçi e dërgon në Kushtetuese vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjeve

www.kallxo.com