Gjykata Kushtetuese vendos për kërkesën e deputetëve të LVV-së për Thaçin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot ka marrë vendim që ta ndërpresë shqyrtimin e kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për një deklaratë të ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Thaçi në muajin mars kishte bërë thirrje për moszbatim të masave të Qeverisë së Kosovës të ndërmarra në luftën kundër COVID-19, në kohën kur në krye të saj ishte Albin Kurti.

Gjykata ka bërë të ditur se ka zhvilluar procedurat e nevojshme pas dorëzimit të kërkesës së deputetëve dhe po e ndërpret trajtimin e kësaj çështjeje, pasi që Thaçi tashmë ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit.

“Megjithatë, para se Gjykata të vendoste përfundimisht në lidhje me kërkesën e parashtruesve të kërkesës, përmes të cilës pretendohej kryerja e shkeljes serioze e Kushtetutës nga Presidenti, më 5 nëntor 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës dha dorëheqje nga pozita e Presidentit”, thuhet në një njoftim për media.

“Gjykata bazuar në rrethanat e krijuara pas dorëzimit të kërkesës nga parashtruesit e kërkesës, si pasojë e dorëheqjes së Presidentit dhe në përputhje me nenin 113.6 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 59 dhe 75 (5) të Rregullores së Punës konstatoi se, më nuk ka rast para vetes dhe rrjedhimisht, njëzëri vendosi për ndërprerjen e procedurave të shqyrtimit të mëtejmë të kërkesës”, thuhet më tej në vendimin e marrë sot.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për deklaratën e Thacit më 31 mars.

Qeveria e Kosovës që atë kohë drejtohej nga Albin Kurti më 23 mars kishte marrë masat e para ndaj COVID-19, të cilat parashihnin ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve.

Ndaj këtyre masave kishte reaguar ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ai kishte bërë thirrje që mos të zbatohen ato masa nga zyrtarët policorë dhe qytetarët e vendit.

Thaçi: Policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti

.