Gjykata Kushtetuese rrëzon pragun 1% për kandidatët e pavarur

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të martën pragun 1% të votave në rang kombëtar për kandidatët e pavarur, duke e konsideruar si antikushtetuese fjalinë e dytë të pikës 1 në nenin 62 të Kodit Zgjedhor – që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me ata të propozuar nga partitë politike.

Çështja e pragut u dërgua para Gjykatës Kushtetuese nga kandidati i pavarur për deputet Elton Debreshi në prill të këtij viti.

Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, të cilat u miratuan në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste dhe Kuvendi i kontrolluar prej saj tetorin e vitit 2020, subjektet zgjedhore duhej të merrnin 1% të votave në rang kombëtar, para se të fitojnë të drejtën të përfshihen në llogaritjen e mandateve.

Përfaqësuesi ligjor i Debreshit, avokati Gentian Serjani e quajti një fitore për shoqërinë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi i hap rrugë një gare të ndershme zgjedhore.

“Dakordësia ime si avokat dhe e Eltonit mbi këtë padi ishte që rezultati pozitiv, nëse do të pranohej, nuk do të kishte efekt drejtpërdrejtë tek Eltoni, por tek shoqëria shqiptare. Tashmë çdokush që nuk ndan të njëjtin mendim me forcat politike aktuale, mundet të garojë pa u trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Kodi Zgjedhor,” tha Serjani për BIRN.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kufizimi i njëjtë si për kandidatët e pavarur ashtu edhe për ata që mbështeten nga partitë politike apo koalicionet zgjedhore cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.

Në zgjedhjet e 25 prillit, Elton Debreshi ishte kandidati i vetëm i pavarur që garoi në qarkun e Dibrës dhe arriti të grumbullonte vetëm 580 vota. Në rang kombëtar garuan 5 kandidatë të pavarur, por asnjëri prej tyre nuk arriti të zgjidhej deputet. (reporter.al)