Srettha Thavisin u zgjodh kryeministër në gushtin e vitit të kaluar. Foto: EPA

Gjykata Kushtetuese rrëzon kryeministrin e Tajlandës

Kryeministri i Tajlandës, Srettha Tahvisin, është shkarkuar pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese që vlerësoi se ai kishte shkelur kushtetutën, raporton BBC, duke e vlerësuar si një vend tronditës që e zhyt mbretërinë në paqartësi edhe më të madhe politike.

Verdikti është nxjerrë një javë pasi e njëjta gjykatë kishte ndaluar partinë progresive të vendit, Lëviz Përpara, që kishte fituar shumicën e mandateve në zgjedhjet e vjetme parlamentare, dhe ua ndaloi liderëve të saj politikën për dhjetë vjet me radhë.

Gjykata Kushtetuese në Bangkok vendosi të mërkurën se Srettha, magnat i patundshmërive dhe relativisht i ri në politikë, kishte shkelur rregullat etike me “shfaqje të sjelljes shpërfillëse”, shkruan BBC.

Srettha 62-vjeçar kishte më pak se një vit në krye të qeverisë, duke u kthyer në kryeministrin e tretë brenda gjashtëmbëdhjetë vjetësh që shkarkohet nga e njëjta gjykatë.

Ai do të zëvendësohet prej një lideri të përkohshëm derisa të mblidhet parlamenti tajlandez për të zgjedhur kryeministrin e ri.

“Jam i sigurt në ndershmërinë time… më vjen keq, por nuk do të them se nuk pajtohem me verdiktin”, ka deklaruar ai në një konferencë për media menjëherë pas verdiktit. Verdikti i gjykatës ëhstë përfundimtar dhe nuk mund të apelohet.

Politika në Tajlandë nuk është e njohur për etikën e saj: ryshfeti është i zakonshëm dhe ministrat me verdikte më serioze në të kaluarën janë lejuar të shërbejnë, shkruan BBC.

Në maj, Gjykata pranoi një peticion të nënshkruar prej 40 senatorëve, që kërkonin shkarkimin e kryeministrit lidhur me emërimin e Pichit Chuenbanit, i cili më parë ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për përpjekje për ryshfet.

Të mërkurën, pesë prej nëntë anëtarëve të Kushtetueses vlerësuan se Srettha në të vërtetë kishte shkelur kodin etik të zyrës kryeministrore duke emëruar një avokat që kishte dënim penal në kabinetin e tij, megjithëse e kishte liruar nga detyra vetëm 19 ditë më vonë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com