Arkiv - Etem Arifi (në këmbë) gjatë një seance gjykimi. Foto: Kallxo.com

Gjykata Kushtetuese pranon përgjigjen nga Komisioni i Venecias lidhur me rastin e Etem Arifit

Më 2 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese mbajti seancë dëgjimore lidhur me ankesën e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për votën e deputetit Etem Arifit.

Lëvizja Vetëvendosje më 6 qershor ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për ‘antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit’ të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e Qeverisë Hoti.

Disa ditë pas mbajtjes së seancës dëgjimore për trajtimin e këtij rasti, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se tashmë kanë pranuar përgjigjet e të gjitha palëve e po ashtu edhe përgjigjen nga Komisioni i Venecias.

“Seanca për shqyrtimin e kësaj lënde do të mbahet ditëve në vijim, pasi që Gjykata të trajtojë parashtresat shtesë që palët e përfshira në rast i kanë dorëzuar në formë të shkruar pas përfundimit të seancës dëgjimore të mbajtur më 2 dhjetor 2020 dhe pasi që të shqyrtohen të gjitha përgjigjet e pranuara nga Forumi i Komisionit të Venecias përkitazi me këtë çështje”, ka deklaruar për KALLXO.com, drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula.

Menjëherë pas shqyrtimit të parashtresave të të gjitha palëve, nga Gjykata kanë deklaruar se do të marrin vendimin të cilin do ta bëjnë të ditur për publikun.

“Sapo Gjykata të marrë vendim, për këtë njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, ka deklaruar Dula.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, pjesëmarrja e Arifit si dhe votimi i tij për Qeverinë Hoti e bën jolegjitime këtë Qeveri.

Arifi ka votuar për Qeverinë Kurti në Kuvend më 3 shkurt 2020. Ai po ashtu ka votuar për rrëzimin e kësaj Qeverie më 25 mars 2020 dhe për formimin e Qeverisë Hoti më 3 qershor 2020.

Por, në formimin e Qeverisë aktuale, të kryesuar nga Avdullah Hoti, deputeti Arifi ishte votë përcaktuese, pasi kjo Qeveri mori minimumin e votave të duhura në Kuvend, 61.

Etem Arifi ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim për veprën penale mashtrim me subvencione, vepër për të cilën tashmë është duke e vajtuar dënimin.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove. Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove. Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete. Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.