Gjykata Kushtetuese dhe AKI mohojnë raportimet për "shantazh" ndaj gjyqtarëve

Gjykata Kushtetuese dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë i kanë mohuar dhe hedhur poshtë raportimet se drejtori i kësaj të fundit është denoncuar për shantazhim të gjyqtarëve të Kushtetueses.

Përmes një komunikate, Gjykata Kushtetuese ka thënë se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj dhe ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, mohon pretendimet e shkrimit të publikuar nga portali Paparaci.com, të dielën, më 16 prill 2023, me titull: “Shefi i AKI-së denoncohet për shantazh të gjyqtarëve kushtetues“.Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese. Ajo gjithashtu, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës” – thuhet në komunikatë.

Ndërsa AKI ka theksuar se shkrime të tilla e dëmtojnë kredibilitetin e saj dhe provojnë të mashtrojnë opinionin.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë hedh poshtë dhe i cilëson të pavërteta pretendimet e artikullit të publikuar në paparaci.com, me titullin “Shefi i AKI-së denoncohet për shantazh të gjyqtarëve kushtetues”. AKI, në bazë të detyrave të përshkruara me ligj, bashkëpunon me të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Pretendimet e shkrimit në fjalë, provojnë që të mashtrojnë opinionin publik dhe njëkohësisht të dëmtojnë kredibilitetin e AKI-së” – thuhet në reagimin e AKI-së.

Portali “paparaci.com” sot gjatë ditës ka raportuar se drejtori i AKI-së është denoncuar për shkak të shantazheve të tij ndaj disa gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.