Rumania, ilustrim :Pixabay

Gjykata Kushtetuese anulon zgjedhjet presidenciale në Rumani

Gjykata më e lartë në Rumani ka anuluar rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të vendit, duke shtuar se krejt procesi do të kthehet në pikën zero, ka raportuar më 06.12.2024 agjencia e lajmeve Reuters.

Balotazhi ishte planifikuar të mbahej të dielën dhe votimi tashmë është në proces në qendrat e votimit në diasporë.

Megjithëse sondazhet e nxirrnin me përqindje njëshifrore të mbështetjes përpara raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor, Calin Georgescu – i cili dëshiron t’i japë fund mbështetjes rumune për Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë – arriti fitore që ngriti dilema se si ishte e mundur një befasi e tillë në një shtet anëtar të Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Dokumentet e deklasifikuara nga këshilli i lartë i sigurisë i Rumanisë të mërkurën treguan se vendi ishte kthyer në cak të “sulmeve agresive hibride ruse” gjatë periudhës zgjedhore.

“Procesi zgjedhor për të zgjedhur presidentin e Rumanisë do të përsëritet plotësisht dhe qeveria do të caktojë një datë të re dhe kalendar për hapat e nevojshëm”- ka bërë të ditur gjykata në një deklaratë.

Raundi i dytë i garës presidenciale që do të zhvillohej të dielën do të përballte Georgescun, kandidat i ekstremit të djathtë, pro-rus dhe udhëheqësen e qendrës pro-BE, Elena Lasconi.

Partitë e ekstremit të djathtë gjithashtu performuan mirë në zgjedhjet parlamentare të së dielës së kaluar në Rumani, megjithëse socialdemokratët në pushtet dolën si grupimi më i madh dhe shpresojnë të krijojnë së bashku një qeveri koalicioni pro-BE.

Gjykata nuk e ka vënë në dyshim integritetin e votimit parlamentar.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com