Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese: Nuk kemi vendosur ende për kushtetutshmërinë e Ligjit të Këshillit Prokurorial

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka vendosur ende lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim nga ky institucion, kanë deklaruar se informatat e publikuara në disa media lidhur me këtë çështje, janë të pasakta.

Ai theksoi se Gjykata është ende duke e trajtuar këtë rast dhe opinioni do njoftohet me kohë lidhur me vendimin.

“Informatat e publikuara sot në disa portale përkitazi me vendimmarrjen e Gjykatës në këtë rast janë të pasakta. Gjykata nuk ka vendosur ende lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Gjykata është duke e trajtuar këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni”- thuhet në përgjigjen e tij.

Sot gjatë ditës në disa media u publikuan informacione se Gjykata Kushtetuese ka gjetur disa pika të Ligjit për Këshillin Prokurorial që bien ndesh me kushtetutën e vendit.

Në korrik të vitit 2022 Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin dërguar ligjin për Këshillin Prokurorial për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, pasi pretendonin se ndryshimet e bëra në ligj, janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, janë miratuar më 14 prill 2022.

KPK kërkon nga Avokati i Popullit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese votimin e Ligjit për KPK-në