Flamuri i Izraelit, Foto: Eduardo Castro

 Gjykata kërkon ndërprerjen e menjëhershme të grevës së përgjithshme në Izrael

Gjykata izraelite e punës ka nxjerrë verdiktin që greva të ndërpritet në 14:30 të së hënës(02.098.2024), sipas kohës lokale. Mediat lokale kanë raportuar më parë se organizatorët planifikonin që greva të zgjaste deri në orën 16:00, sipas kohës lokale.

Bizneset, shkollat dhe transporti janë prekur prej grevës së përgjithshme, të thirrur me kërkesën që Qeveria të lëshojë pe për rmarrëveshje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga grupi militant, “Hamas”, raporton BBC.

Dhjetëra mija persona u mblodhën të dielën në Izrael pasi u kthyen në Izrael trupat e pajetë të gjashtë pengjeve që ishin mbajtur nga “Hamasi” në Gazë. Trupat u morën pas një aksion të ushtrisë izraelite.

Disa fluturime në aeroportin “Ben Gurion”, më i madhi i komunikacionit ajror i Izraelit, janë çrregulluar, derisa protestuesit kanë bllokuar të hënën rrugët që çojnë drejt aeroportit.

Izraeli ka lansuar një fushatë ushtarake në Gazë pasi “Hamasi” më 7 tetor të vitit të kaluar ndërmori një aksion, duke vrarë 1.200 persona dhe rrëmbyer 251 të tjerë brenda territorit izraelit. Deri më tani ende nuk dihet për fatin e 97 pengjeve.

Në Gazë, 40.786 persona janë vrarë prej atëherë, ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë, e kontrolluar nga “Hamasi”.

Disa komuna dhe rrethe kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në grevë, por në disa rrethe izraelite shërbimet janë prekur.

Shumë spitale ofrojnë shërbime të reduktuara dhe bankat janë mbyllur, por disa biznese private mbeten të hapura. Reuters gjithashtu raporton se disa punëdhënës po lejonin stafin t’i bashkohej grevës.

Valixhet po “grumbullohen” në aeroportin “Ben Gurion”, thotë shefi i sindikatës “Histadrut”, Peter Lerner, për programin Newsday të BBC-së, me disa fluturime të pezulluara këtë mëngjes.

Shërbimet e autobusëve dhe hekurudhave në disa zona ose janë anuluar ose janë duke kryer shërbime të reduktuara.

Punëtorët në portin kryesor tregtar të vendit në Haifa janë gjithashtu në grevë. Lerner thekson se disa po “ngadalësojnë aktivitetin e tyre”.

“Ne jemi vetëm në fillimin e kësaj dite pune dhe tashmë shohim që qeveria po përpiqet ta kundërshtojë atë në gjykata”, shton ai. “Ne po presim me padurim një ditë shumë interesante për Izraelin”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com