Gjykata ia ndalon 'Visametric'-ut detyrimin e pagesës prej 30 euro për kthim të pasaportës

Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “Visametric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, ka njoftuar avokati Flamur Abdullahu.

Kjo shumë deri më tani është paguar nga të gjithë aplikantët në vlerë prej 30 euro.

Po ashtu, Gjykata përmes vendimit të datës 15 mars ka obliguar këtë kompani që t’ua lejojë qytetarëve që të mund t’i tërheqin pasaportat e tyre edhe fizikisht, në zyrat e tyre, përderisa deri më tani, kjo gjë nuk është mundësuar.

Këtë vendim e ka publikuar avokati Flamur Abdullahu, i cili ka bërë edhe propozimin për këtë masë, në emër të interesit kolektiv.

Sipas tij, detyrimi për të paguar këtë shumë është zhvatje përmes së cilës, kompania përfiton disa miliona euro dhe është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ky vendim është aprovuar më 27 prill, edhe nga shkalla e dytë e kësaj gjykate, pas ankesës së bërë nga kompania.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë “Visametric” L.L.C. lidhur me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjeve.

“VisaMetric” është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës.