Gjykata i jep të drejtë Blert Morinës që të ndryshojë emrin dhe shënuesin e gjinisë në dokumentet identifikuese

Gjykata Themelore në Prishtinës i ka dhënë të drejtë Blert Morinës që ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në përputhje me identitetin e tij gjinor.

Morina kishte kërkuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë në prill 2018, që t’i ndërrohet emri nga Blerta në Blert dhe shënuesi i gjinisë nga gjinia femërore, ’F’, në shënuesin e gjinisë mashkullore ‘M’.

Siç bëhet e ditur në njoftim të Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL), pas përgjigjes refuzuese të Zyrës së Gjendjes Civile dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Morina bëri padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që t’i njihet ligjërisht identiteti i tij gjinor.

“Paralelisht me padinë e parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Morina kishte ngritur edhe një kërkesë për shqyrtim të kushtetutshmërisë të vendimit refuzues të ARC-së në Gjykatën Kushtetuese. Sidoqoftë, kushtetuesja ia kishte hedhur poshtë kërkesën si të parakohshme, me arsyetimin se duhet shterrë mjetet e rregullta juridike para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e CEL.

ARC, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore kishte dërguar përgjigje në padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sidoqoftë nuk është paraqitur në asnjërën nga dy seancat gjyqësore të mbajtura në këtë gjykatë.

Më tej bëhet e ditur se me 24 tetor 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamtenti për Çështje Administrative morri vendim me të cilin e aprovoi si të bazuar padinë e Blert Morinës dhe urdhëroi që vendimi refuzues i ARC-së, të anulohet. Ndërkohë, udhëroi Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme të Komunës së Gjakovës t’ia ndërrojë emrin nga «Blerta» në «Blert» dhe shënuesin e gjinisë nga «F» në «M» në Regjistrin Themeltar dhe Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, mes tjerash, ka konstatuar se me refuzimin e kërkesës së Morinës për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë është cënuar e drejta e tij në privatësi e mbrojtur me Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, vijon njoftimi i CEL.

Ky vendim i gjykatës është vendimi i dytë publik në të cilin gjykatat e rregullta në Kosovë vendosin në favor të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të komunitetit transgjinor në Kosovë.