Gjykata hedhë poshtë aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Arlind Popajt

Gjykata ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Arlind Popaj zyrtar për mbrojtjen e viktimave, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtari i rastit Alban Ajvazi.

Prokurori i rastit, Zejnullah Gashi ka thënë për KALLXO.com që do të bëjnë ankesë në lidhje me këtë vendim të Gjykatës.

Zejnullah Gashi pati propozuar që Popajt t’i shqiptohen dënime plotësuese.

“Propozoj që të akuzuarit, t’i shqiptohet urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit dhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratë Publike ose në Shërbimin Publik”, kishte thënë prokurori Gashi.

Popaj në seancën e kaluar ishte deklaruar i pafajshëm.

Kujtojmë se Gjykata e Prishtinës, më 10 shkurt 2021 e kishte shpallur fajtor Popajn dhe e kishte dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 1,500 eurosh, me pëlqimin e të akuzuarit.

Ndërsa Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim, për shkak shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Popajt, të cilin e akuzon për veprën penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës Arlind Popaj në vitin 2018 në lokalin “Edona”, në Vushtrri, në cilësinë e personit zyrtar – përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke mos ndërmarrë veprimet që ka qenë i detyruar të ndërmarrë, krejt kjo me qëllim që të përfitonte dobi pasurore për vete.

Tutje aktakuza thotë se, i akuzuari në cilësinë e përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës, kërkoi nga vëllai i të dëmtuarës F.P., e cila ishte viktimë e dhunës në familje, shumën prej 3 mijë eurove në formën e borxhit edhe pse i njëjti asnjëherë më parë nuk ishte njohur me të dëmtuarën apo familjarët e saj.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara dhe vëllai i saj nuk i kanë pasur shumën prej 3 mijë eurove, mirëpo e dëmtuara paratë e kursyera të djalit të saj në shumën prej 1 mijë e 400 eurove, ja kishte dhënë përmes vëllait të saj, të akuzuarit, për arsye të blerjes së një veture nga ana e të akuzuarit.

Në aktakuzë përmendet edhe një shumë prej 90 eurove, të cilën i akuzuari e kishte kërkuar po ashtu nga vëllai i të dëmtuarës për trajtimin shëndetësor të djalit të akuzuarit për shërimin jashtë vendit si dhe përfitime të tjera si, mbushjen e veturës me karburant, darka dhe dreka të cilët kanë qenë të detyruar t’i shërbejnë të akuzuarit, duke e shfrytëzuar pozitën e vështirë të të dëmtuarës e cila ka qenë subjekt i dhunës fizike dhe psikike nga ana e burrit të saj.