Foto: Rtv21

Gjykata e urdhëron Shukri Bujen të paraqitet në burg

Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhër që Shukri Buja të paraqitet në vuajtje të dënimit.

Kjo urdhëresë është lëshuar për të dytën herë nga gjykata e Prishtinës dhe përmes saj ish kryetarit të Lipjanit po i kërkohet që deri me datën 12 prill, të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Ish kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, është dënuar me 1 vit burgim nga Gjykata e Apelit për vepër korruptive.

Përpos burgimit ndaj tij është shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratë.

Edhe gjatë muajit shkurt të këtij viti Shukri Bujës i është kërkuar që të paraqitet në vuajtje të dënimit, mirëpo për shkak se urdhëresa nuk ishte arritur t’i dorëzohet në adresën e shënuar u desh që e njëjta të përsëritet.

“Bazuar në këtë, Gjykata përsëri me datë 25.03.2021 ka përsëritur Urdhëresën për të dënuarin SH.B., që i njëjti të lajmërohet në vuajtje të dënimit më datë 12.04.2021, mirëpo deri më tani nuk kemi informacione nëse i njëjti ka pranuar Urdhëresën nga Gjykata”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Shukri Buja ishte dënuar më 18 shtator të vitit të kaluar nga Gjykata e Prishtinës me dy vite burgim madje ishte obliguar ta kompensoj palën e dëmtuar me 78 mijë euro.

Ky dënim ishte përgjysmuar nga Gjykata e Apelit pasi që Buja është gjetur fajtor vetëm për një vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare pasi disa nga pikat e tjera të aktakuzës ishin parashkruar.

Ai akuzohej se e kishte keqpërdorë detyrën zyrtare, kishte ushtruar ndikim në zyrtaret e tjerë për të mos e penguar Fahri Ratkocerin në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Ai akuzohej se për marrje të ryshfetit pasi sipas prokurorisë, Retkoceri ia kishte paguar riparimin e veturës  zyrtare “Mercedes ML”.

Gjykata e Apelit i ulë dënimin Shukri Bujës