Gjykata e shpall të pafajshme Donika Gërvallën nga akuza për mosdeklarim të pasurisë
Gjykata e Prishtinës e ka shpallur të pafajshme zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, nga akuza për mosdeklarim të pasurisë.
Shpallja e aktgjykimit u bë më 19.11.2024 nga gjyqtari Dibran Jusufi.
Gjyqtari tha se gjykata ka ardhur në përfundimin se vepra penale për të cilat akuzohet Gërvalla, nuk përbën vepër penale.
“Gjykata ka analizuar me vëmendje pretendimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por gjen që të njëjtat pretendime në asnjë provë të vetme nuk mund të vërtetohet se me veprimet e të akuzuarës janë përmbushur elementet e veprës penale ‘mosdeklarim i pasurisë’”- tha gjyqtari Jusufi.
Tutje Jusufi tha se mosdeklarimi i pa saktë i pasurisë së ligjshme është kundërvajtje dhe jo vepër penale.
Ai shtoi se lidhur me pasurinë e cila ishte objekt shqyrtimi për mosdeklarim tha se Prokuroria nuk ka kërkuar që pasuria e të akuzuarës Gërvalla të konfiskohet.
Për akuzën e prokurorisë të datës 31.01.2023, ministrja Gërvalla nuk e kishte pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit fillestar të mbajtur më 07.03.2024.
Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim me të cilin ministres Donika Gërvalla – Schëarz ia kishte refuzuar kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës për mos deklarim të pasurisë.
Më 05.04.2024 avokatja e ministres Donika Gërvalla kishte kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të hidhet poshtë aktakuza ndaj ministres pasi provat sipas mbrojtjes janë të pambështetura, duke pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë.
Sipas avokates Saranda Keqekolli, nga provat që i ka bashkangjitur prokuroria në aktakuzë nuk ka asnjë prej tyre që e implikon klienten e saj se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Keqekolli këtë aktakuzë e kishte konsideruar si të mangët.
E njëjta kishte thënë se sa i përket mos deklarimit të të ardhurave personale të bashkëshortit të të pandehurës, e pandehura kishte menduar se meqenëse ai është i nënshtetësisë gjermane dhe nuk ka lidhje fizike e juridike me Kosovën, të dhënat e tij mbrohen me ligje gjermane.
Sipas Gërvallës, Ligji për privatësinë e të dhënave si dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale përcakton se është e ndaluar që të zbulohen të dhënat financiare të një qytetari gjerman pa pëlqim paraprak.
Gërvalla kishte potencuar faktin se kur ka plotësuar formularin për pasuri, nuk e ka pasur ende aprovimin paraprak për të dhënat personale.
Kurse sa i përket pretendimit për mos deklarim të saktë të pasurisë së paluajtshme, mbrojta kishte thënë se Gërvalla ka deklaruar një truall me shtëpi, tokë pyjore dhe një tokë bujqësore, të cilat ishin të gjitha trashëgimi nga prindërit dhe se kjo pasuri nuk ishte fituar në kohën kur është bërë deklarimi i pasurisë, por të njëjtat janë përfituar nga prindërit e saj.
Ndërsa, sa i përket pretendimit të prokurorisë për mosdeklarim të biznesit “ALBLINGUA UG” dhe Fondacionit Gërvalla, sipas mbrojtjes së të akuzuarës është bërë lëshim kur Gërvalla ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet e 14.02.2021.
Sa i përket biznesit “ALBLINGUA UG”, sipas pretendimit të mbrojtjes e pandehura nuk ka vazhduar me përpjekje për funksionalizimin e kësaj platforme online.
Sipas mbrojtjes, Fondacioni Gërvalla nuk kishte qenë asnjëherë funksional që nga vitit 2006-2007, nuk ka gjeneruar asnjë të hyrë dhe ky fondacion kishte kaluar në emrin e nënës së saj.
Sipas gjykatës, kjo kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarës është e pabazuar. Aktakuza thuhet se është e mbështetur në prova dhe nuk ka elemente me të cilat përjashtohet përgjegjësia penale, duke shtuar faktin se nuk ka elemente të tjera të cilat do të pengonin ndjekjen penale.
Aktakuza ndaj Gërvallës për mosdeklarim të pasurisë është ngritur më 31.01.2023.
Përmes Facebook-ut kishte reaguar vetë ministrja Gërvalla.
“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngritur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie!” – kishte thënë Gërvalla.
Tutje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pati thënë se kjo është një fushatë ndaj saj.
“Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë” – kishte thënë ajo.
Çka ndodhi në seancë para shpalljes së aktgjykimit?
Paraprakisht para shpalljes së aktgjykimit ndaj diplomates Donika Gërvalla, në seancë u lexua aktakuza nga prokurori Paulin Pashku. Ndërsa pas leximit të aktakuzës e akuzuara Gërvalla u deklarua rreth fajësisë.
“E pafajshme”- tha ajo para gjykatës të martën.
Më tej seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorit të shtetit dhe mbrojtjes.
Prokurori Paulin Pashku tha se prokuroria do ta vërtetojë mbi bazën e provave përgjegjësinë penale së të pandehurës Gërvalla për veprën penale i cila i vihet në barrë, atë për mosdeklarim të pasurisë.
Ndërsa mbrojtësi i së akuzuarës Gërvalla, avokati Granit Vokshi tha se i tërë narracioni i aktakuzës është “thellësisht kontradiktor dhe krejtësisht i pa mbështetshëm.”
Sipas tij, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se ka të bëjë me “një gabim krejtësisht teknik” në deklarimin e pasurisë i cili siç tha ai, nuk hyn në sferën penale por i përgjigjet asaj kundërvajtëse.
Vokshi shtoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor nga provat e administruara “do të vërtetohet që e mbrojtura e tij nuk e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.”
Në seancë ka dëshmuar edhe zyrtarja e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Qëndresa Berisha.
“Sipas shkresave të lëndës, në momentin e dorëzimit të formuluarit të deklarimit të pasurisë, me marrjen e detyrës shihet një deklaratë e cila është e nënshkruar nga e njëjta në të cilën theksohet se është e njoftuar lidhur me obligimet që dalin nga Ligji për Deklarimin e Pasurisë. Përveç kësaj, në shkresa të lëndës nuk ka diçka tjetër”- tha dëshmitarja Berisha.
Ajo shtoi se në shkresa të lëndës nuk shihet qe ka ndonjë komunikim deri ne momentin e sqarimit që është kërkuar nga agjencia në fjalë, përmes kërkesës lidhur me këtë mosdeklarim.
Lidhur me gjetjet për biznesin “ALBLINGUA UG”, Berisha deklaroi se agjencia vepron në bazë të ligjit për Agjencinë për Deklarimin e Pasurisë dhe kryen hetime administrative, mirëpo e njëjta shtoi se në këtë rast meqë biznesi është i regjistruar jashtë vendit, agjencia nuk ka kompetencë që të bëjë hetim jashtë territorit të Kosovës.
Ajo theksoi se në kallëzimin penal në prokurori theksohet se agjencia nuk ka pasur kompetencë për të bërë këtë verifikim, duke ia lënë kështu prokurorisë në faza të tjera penale të vërtetojë lidhur me biznesin ne fjalë.
“Është e saktë, të hyrat e bashkëshortit të palës deklaruese janë të deklaruara në formularin e bërë në vitin 2022, por jo në atë të 2021-ës”- tha zyrtarja Berisha.
Në pyetjen e avokatit Vokshi se a i kujtohet çfarë ka përmbajtur përgjigjja e Gërvallës lidhur me parcelën në fshatin Dubovik, dëshmitarja Berisha tregoi se APK-ja i ishte drejtuar me dy kërkesa ministres Gërvalla.
“Agjencia me dy kërkesa i është drejtuar palës deklaruese, fillimisht kërkesa e parë ka pas të bëjë me pasaktësi e cila në sqarimin e saj ka theksuar se në bazë të disa komunikimeve me zyrtarë nga Komuna e Deçanit, ka konfirmuar ato të dhëna të cilat i ka paraqitë”- tha dëshmitarja Berisha.
“Pas kësaj, Agjencia i është drejtuar prapë më kërkesë duke i kërkuar informacione lidhur me ato komunikime, si dhe në atë nëse ka ndonjë certifikatë pronësie lidhur me këtë pasaktësi, e njëjtë në sqarimin e saj përveç asaj që ka theksuar që ato prona janë të evidentuara mirëpo sipërfaqen e saktë e ka keqkuptuar ose ka pasë ngatërresë me zyrtarin nga Komuna e Deçanit, duke i bashkëngjitur edhe transkriptin e këtyre komunikimeve”-tha ajo.
Seanca vazhdoi edhe me admistrimin e provave, ndërsa vijoi edhe me me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarës, ministres Donika Gërvalla.
Ajo deklaroi se bashkëshorti i tij është i punësuar në Parlamentin gjerman.
Tutje, ajo tha se sekreti i të ardhurave personale dhe të dhënave tatimore në shtetin gjerman mbrohet me ligj dhe kur e kishte bërë deklarimin fillestar pas marrjes së detyrës, kishte menduar se ajo vlen edhe për Kosovën.
Ajo u pyet edhe për pronën e paluajtshme në Dubovik, se si ka kaluar në emrin e saj.
“Diku në vitin 2010 është ndarë pasuria, atëherë axha im i madh, pasardhësit e axhës së dytë dhe ne kemi ndarë të gjithë pronën e paluajtshme në pjesë të barabarta me short e kemi tërhequr”- tha ajo.
Tutje Gërvalla tha se për biznesin “ALBLINGUA UG” e kishte regjistruar gjatë kohës së pandemisë me vëllain e saj, mirëpo arsyeja pse nuk e kishte deklaruar kishte qenë sepse nuk kishte pasur qarkullim.
“Atë biznes e kam regjistruar gjatë kohës së pandemisë me synimin që së bashku me vëllain tim, i cili ofron shërbime grafike të ndërtojmë një platformë për mësimin e gjuhëve, kam punuar intensivisht me këtë platformë gjatë vitit 2020 në përgatitjen e materialeve për atë platformë dhe më pas në janar të vitit 2021 kam marr vendimin të vij në Kosovë të bëhem pjesë e zgjedhjeve”- tha ajo.
“Arsyeja se pse nuk e kam deklaruar ka qenë se nuk ka pasur qarkullim vetëm shpenzime”- shtoi më tej e akuzuara Gërvalla.
Më tej seanca vazhdoi edhe me fjalën përfundimtare.
Prokurori Paulin Pashku në fjalën përfundimtare, tha se provat që janë dorëzuar në gjykatë e të cilat janë shqyrtuar “e vërtetojnë dashjen e të pandehurës për të kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.”
Tutje prokurori Pashku tha se e pandehura Gërvalla këtë pjesërisht e ka pranuar, qoftë në deklarimin e saj në Prokurori, se në formularët e deklarimit të pasurisë, qartazi e tregojnë shpërputhjen dhe paqëndrueshmërinë e mbrojtjes së të pandehurës.
“…e cila fillimisht fare qartë thotë se bashkëshorti i saj nuk ka pas pasuri të luajtshme apo të paluajtshme në vlerë mbi 3 mijë euro, ndërsa një vit më pas e deklaron pasurinë e saj me të ardhura personale në shumën prej pak më tepër se 53 mijë euro edhe çka edhe vetë e pandehura e vërteton se të njëjtën shumë të të ardhurave personale e ka poseduar edhe në atë kohë.”
Tutje prokurori kërkoi nga gjykata që të pandehurën ta shpall fajtore duke i shqiptuar një dënim të paraparë me dispozitat e KPRK-së.
Më pas fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarës Gërvalla, avokati Granit Vokshi.
Avokati Vokshi në fjalën përfundimtare tha se nuk ka qenë qëllimi të fshihet pasuria, pasi siç tha ai, Gërvalla pasurinë e ka deklaruar në vitin 2022 dhe shtoi se me asnjë provë nuk vërtetohet pretendimi i Prokurorisë dhe presin që gjykata të marrë aktgjykim lirues ndaj të mbrojturës së tij.
Ndërsa e akuzuara Gërvalla, tha se nuk ka pasur as qëllim e as dashje, “por ka qenë një gabim teknik.”
“Dëshiroj të theksoj se nuk ka pasur gjatë gjithë kohës as qëllim as dashje nga ana ime, e ndërgjegjshme për gabimin teknik të bërë në secilën prej fazave si në agjencion, ashtu edhe në prokurori kam ofruar sqarimet e mija shumë të detajuara duke shpresuar në një sqarim sa më mirë të çështjes”- tha e akuzuara Gërvalla.