Ish-drejtori i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare | Foto: KALLXO.com

Gjykata e rihap shqyrtimin ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Drenas, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në ditën kur pritej të shpalljej aktgjykimi, Gjykata e Prishtinës më 08.11.2024 ka vendosur ta hapë sërish shqyrtimin lidhur me rastin ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Tahiraj i kishte tejkaluar kompetencat e tij duke mos ndjekur fare procedurat e prokurimit publik në ndërtimin e depos së një shkolle dhe renovimin e kulmit të shkollës tjetër.

Kryetari i trupit gjykues, Gent Beka deklaroi se në rihapje të shqyrtimit do të dëgjohen edhe dy dëshimtarë si dhe do të kërkohet dokumentacion shtesë.

“Rihapet përsëri shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale ashtu që do të ndëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve Betim Berisha menaxher i kontratave nga lista e projekteve kapitale, do të mirret në pyetje dëshmitari Mehmet Rama si dhe do të kërkohet dokumentacion për vitin 2015-2016 për rastin e shkollës ‘Rilindja’ në Dobroshec, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave” – deklaroi Beka.

Sipas aktvendimit të kumtuar nga gjyqtari Beka, rihapja e shqyrtimit do të bëhet për tu vërtetuar faktet vendimtare pasi pas analizimit të dëshmive të dëshmitarëve rezulton një gjendje tjetër nga provat materiale.

“Në rastin konkret për t’i eleminuar të gjitha mëdyshjet duhet të dëgjohet Betim Berisha menxher i kontratave në projekte kapitale sai përket shkollës ‘Rasim Kiçinina’ pasi që ka pretendime se i njëjti ka qenë në njohuri lidhur me marrëveshjen e arritur në mes tani të pandehurit Sadikaj Tahiraj me kompaninë ‘Al Trade'” – deklaroi mëtej gjyqtari Beka.

Gjyqtari përmendi gjithashtu se nga mbrotja e të pandehurit rezulton se i njëjti e ka njoftuar Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave lidhur me dëmet në shkollën “Rilindja” në Dobroshec.

Për këto pretendime gjykatësi Beka bëri me dije se do të kërkojë zyrtarisht nga drejtoria të vërtetohen dhe dorëzohen dokumentacionet përkatëse.

Gjatë shpalljes së vendimit u përmend edhe fakti se “përderisa pretendimet e dëshmitarëve edhe të prokurorisë se në rastin e shkollës ‘Rilindja’ ishin se nuk është respektuar fare procedura e prokurimit, nga shkresat e dorëzuara nga ana e prokurorisë gjendet edhe një dokument me titull ‘Njoftim lidhur me anulimin e aktivitetit të prokurimit lidhur me izolimin e kulmit në shkolla të mesme të ulëta në Dobroshec, renovimi i objektit social'”.

“Ky dokument nuk është propozuar nga prokuroria dhe nuk është administruar si provë gjatë shqyrtimit gjyqësor. E i cili dokument rezulton se është nënshkruar nga dëshmitari Mehmet Rama” – theksoi gjyqtari Gent Beka.

Në fund kryetari i trupit gjykues tha se meqenëse mbrojtja dhe prokuroria nuk prezentojnë, gjykata do t’i njoftojë me ftesa të rregullta lidhur me seancën e radhës, pas pranimit të dokumentacionit nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Emergjencave të Komunës të Drenasit.

Prezentë gjatë shpalljes së këtij aktvendimi ishte i pandehuri, Sadikaj Tahiraj.

Lidhur me akuzat e prokurorisë Sadik Tahiraj nuk e ka pranuar fajësinë.

Kjo çështje penale po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Gent Beka – kryetar dhe anëtarët Adnan Kamberi dhe Medie Bytyqi.

Fillimisht Tahiraj ishte liruar nga kjo akuzë nga shkalla e parë më 05.03.2020, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë rast në rivendosje më 08.02.2021.

Kolegji i Apelit që e ktheu këtë rast në rivendosje përbëhet nga Burim Ademi- kryetar, anëtarët Tonka Berisha (gjyqtare referuese) dhe Bashkim Hyseni.

Kurse në shkallë të parë vendimi i parë ishte marrë nga trupi gjykues: Naime Krasniqi- Jashanica, kryetare, anëtarët Vesel Ismaili dhe Naser Foniqi.

Dosja e Prokurorisë

Prokuroria e akuzon Tahirajn se kishte tejkaluar kompetencat e tij duke mos ndjekur fare procedurat e prokurimit publik në dy raste. Rasti i parë kishte qenë për ndërtimin e një depoje të shkollës “Rasim Kiçina” në Drenas në vitin 2015, dhe rasti tjetër kishte të bënte me renovimin e kulmit të shkollës “Rilindja” në fshatin Dobroshec të Drenasit.

Sipas prokurorisë, ai e kishte bërë këtë me qëllim të përfitimit për vete ose për kompaninë “A&I Group” Sh.P.K. dhe “Al Trade” Sh.P.K.

Prokuroria e akuzon Tahirajn se kishte tejkaluar kompetencat e tij duke mos ndjekur fare procedurat e prokurimit publik në dy raste. Rasti i parë kishte qenë për ndërtimin e një depoje të shkollës “Rasim Kiçina” në Drenas në vitin 2015, dhe rasti tjetër kishte të bënte me renovimin e kulmit të shkollës “Rilindja” në fshatin Dobroshec të Drenasit.

Sipas prokurorisë, ai e kishte bërë këtë me qëllim të përfitimit për vete ose për kompaninë “A&I Group” Sh.P.K. dhe “Al Trade” Sh.P.K. 

Raportimet paraprake lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.