Gjykata e Prizrenit vendosi për 2 të arrestuarit për fajde

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të arrestuarve gjatë ditës së djeshme për fajde.

F.GJ. po ngarkohet për veprat fajdeja, detyrimi dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë kurse i dyshuari i dytë  A.D. për veprën penale fajdeja në ndihmë.

Sipas dosjes rasti ka ndodhur në Prizren, ku nga data  21 nëntor 2020 deri më datë 2 shkurt 2022, pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për shërimin e djalit të sëmurë, F.GJ., të dëmtuarit i ofrojnë një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e ngarkojnë me kamata të larta dhe të papërballueshme.

Sipas Prokurorisë, më  25 janar 2022, i pandehuri në orët e mbrëmjes shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, ku i drejtohet me fjalët: “A i ke bo paret?”, ndërkaq kur  i dëmtuari i përgjigjet se nuk ka arritur t’ i sigurojë paratë dhe kërkon kohë shtesë, i njëjti fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplas telefonin përtokë dhe e godet me grushte dhe i bën presione për pagesë të kamatave mujore.

Më tej sqarohet se i pandehuri i dytë A.D. gjatë pagesës së kamatave për pesë muaj rresht kur i pandehuri F. nuk ishte prezent, i dëmtuari i paguan kamatat tek i pandehuri A. në mënyrë që ky i fundit të hollat më pas t’ i ketë dërguar të pandehurit F.Gj.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

Ditë më parë emisioni “Kallxo Përnime” transmetoi hulumtimin për arrestimin e të dyshuarve për fajde në Prizren.

Siç raportoi “Kallxo Përnime”, një hetim i cili kishte nisur gjashtë muaj më parë kishte përfunduar me pesë të arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin se të njëjtit merreshin me fajde.

Tetë lokacione ishin bastisur, ishin zhvilluar disa takime mes të dyshuarve dhe viktimës, janë konfiskuar një mori dokumentesh, vetura e armë në aksionin e Policisë së Kosovës të udhëhequr nga prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Më 22 dhjetor ekipe të shumta policore ishin vendosur në Drejtorinë rajonale të Policisë në Prizren. Të njëjtit prisnin urdhrin të ndërhynin e të arrestonin disa persona të cilët dyshoheshin se jepnin fajde ndërsa kamata ishte e lartë.

Si u zbulua rrjeti i fajdexhinjve në Prizren?

www.kallxo.com