Gjykata e Prizrenit shpall fajtorë tre të akuzuarit për shitblerje të narkotikëve dhe organizim të lojërave të fatit

Gjykata e Prizrenit ka shpallur më 29.05.2024 aktgjykimin në rastin e të pandehurve A.E., B.E. dhe T.B., të akuzuar për shitblerje të drogës dhe për organizim të lojërave të fatit.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Artan Sejrani, i ka shpallur fajtorë tre të akuzuarit.

Të pandehurve A.E. dhe B.E. Gjykata u shqiptoi dënim unik me burgim 24 muaj secili dhe dënim me gjobë 1,000 euro secili.

Ndërsa të pandehurin T.B. Gjykata e gjeti fajtor vetëm për veprën penale – ndihmë në shitblerje të narkotikëve dhe e dënoi vetëm me gjobë 2,000 euro.

Gjykata vendosi që të konfiskohen substancat narkotike dhe vetura e cila ishte rezultat i përfitimit nga shitja e narkotikëve.

Prokurori i shtetit, Petrit Kryeziu, kishte ngritur aktakuzë më 15.01.2024 ndaj tre të pandehurve, të cilët i ngarkonte me veprat penale – shitblerje e narkotikëve, dhe për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas aktakuzës, këto veprime të pandehurit B.E. dhe A.E. nga kohë e pavërtetuar e deri më 30.08.2023 në fshatin Zhur dhe në qytetin e Prizrenit pa autorizim shpërndajnë dhe ofrojnë për shitje substancën kokainë.

Ndërsa, i pandehuri T.B. në datën, kohën dhe vend të njëjtë ka ndihmuar personin tjetër në kryerjen e veprës, duke i siguruar klientë të ndryshëm.

Tutje, të pandehurit A.E. dhe B.E. nga viti 2021 e deri më 30.08.2023 në fshatin Zhur nga një lokal dhe përmes mjeteve elektronike kanë organizuar lojëra të fatit.

Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme, përmes telefonave mobilë dhe kompjuterit që gjendej në lokalin e lartcekur, instalojnë llogari të ndryshme për lojëra të fatit, duke krijuar llogari për klientët më pas duke u dërguar të holla në ato llogari, e që këta të fundit paguajnë të hollat “cash” për të pandehurit.