Gjykata Themelore e Prizrenit

Gjykata e Prizrenit redukton stafin e saj, por puna në Gjykatë nuk do të ndërpritet

Në Komunën e Prizrenit deri më sot janë konfirmuar afro 400 raste me COVID-19, ndërsa është edhe ndër komunat që ka shënuar 17 raste të vdekjeve.

Si pasojë e rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Komunën e Prizrenit në javën e fudnit, edhe institucionet kanë pezulluar aktivitetet e tyre.

Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që të reduktohet numri i stafit administrativ dhe i gjyqtarëve.
Artan Sejrani ushtrues detyre i pozitës së kryetari të Gjykatës për KALLXO.com tha se ky vendim është marrë në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit dhe të ulet rreziku duke reduktuar punën.

Sejrani sqaroi se seancat gjyqësore që janë caktuar do të vazhdojnë të mbahen, dhe se Gjykata do të vazhdon punën por me staf të reduktuar, dhe se do të vazhdojnë të trajtojnë rastet e paraburgimit dhe të dhunës në familje.

“Do të vazhdojmë punën me staf të reduktuar, mirëpo nuk do të ketë ndërprerje të punës, ndërsa kemi udhëzuar gjyqtarët që gjatë muajit gusht të mos caktojnë seanca deri kur të qetësohet situata dhe të marrim udhëzime tjera nga Institucionet Shëndetësorë“, sqaroi Artan Sejrani.

Gjykata e Prizrenit ka shkurtuar stafin, ndërsa do të vazhdojnë punën vetëm ajo pjesë e stafit që është e nevojshme për tu mos u ndërprerë puna në tërësi, dhe se seancat që tashmë janë caktuar do të vazhdojnë të mbahen por pa praninë e publikut, përpos palëve në procedurë.

Ndërkohë, në Divizionin Civil, të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, siç janë urdhër mbrojtjet dhe masat e përkohshme – masat siguruese.
Përkundër reduktimit të stafit, u.d të kryetari Artan Sejrani tha se palët do të mund të marrin shërbimet e domosdoshme pranë Gjykatës, ndërsa gjatë gjithë kohës janë duke u zbatuar masat si bartja e maskave dhe doreza, dhe dezinfektimi i hapësirave.