Gjykata e Prizrenit i bindet KGJK-së, punon vetëm shërbime esenciale

Gjykata e Prizrenit ka zbatuar vendimin e KGJK-së dhe nga dita e sotme do të reduktohet puna duke ofruar vetëm shërbime esenciale.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), dje ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët e gjykatave ku është vendosur që seancat gjyqësore të anulohen.

Gjatë kësaj kohe, Gjykata do të procedojë dhe mbajë seanca sa i përket paraburgimeve dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore.

Po ashtu do të trajtohen edhe kërkesat për sekuestrimin e përkohshëm, ekzekutimet e vendimeve, çështjet e dhunës në familje, çështjet e sigurimit të kërkesëpadisë, përmbarimi i  vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, alimentacioni dhe rastet e tjera që kanë të bëjnë me fëmijët.

Në njoftim thuhet se Gjykata do t’i përgjigjet edhe procedurave për dërgimin e personave në rehabilitim dhe do të kryhen të gjitha punët administrative.

Kjo gjendja sipas vendimit do të zgjasë deri më datë 8 dhjetor 2022.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), dje ka vendosur që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Vendimet e KGJK-së kanë ardhur si shenjë pakënaqësie e vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për pagat, që parasheh zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

KGJK thekson se nëse Qeveria nuk e shfuqizon vendimin e datës 23 nëntor, Këshilli më 8 dhjetor do vendosë për masa të tjera.

Qeveria e Kosovës të mërkurën mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017, kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

“Me këtë vendim pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, sqaroi kryeministri.

Në vitin 2017 qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj kishte marrë vendim që tia dyfishoj vetës pagën, ky vendim kishte prekur edhe sistemin e drejtësisë.

Haradinaj vendimin e kishte arsyetuar rritjen e pagës edhe me nevojën që ka si kryeministër për të blerë kravata.