Gjykata e Prizrenit cakton masën e paraburgimit për 6 të arrestuarit për fajde dhe detyrim
Gjykata e Prizrenit ka caktuar më 01.11.2024 masën e paraburgimit prej një muaji ndaj gjashtë të dyshuarve të arrestuar për fajde dhe detyrim në kuadër të operacionit “Milioni”.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com u.d. kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.
“Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit për të gjithë të pandehurit” – tha Kryeziu për KALLXO.com.
Policia e Kosovës ka arrestuar më 31.10.2024 gjashtë persona të dyshuar për fajde dhe detyrim.
Po ashtu janë sekuestruar 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë me municione, kontratave, parave, provave digjitale e të tjera.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarve u janë bllokuar edhe llogaritë bankare.
Operacioni u krye në 6 lokacione të ndryshme në rajonin e Prizrenit dhe të Suharekës me urdhër-kontroll të Gjykatës.
“Të dyshuarit në këtë rast me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës” – thuhet në raport.
Vlera e përfituar përmes këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë është mbi 1 milion euro, në formë të parave, pronave të paluajtshme e të luajtshme si formë e interesit nga fajdeja.
Shënim: Artikulli është edituar në pjesën ku flitet për numrin e njësive banesore dhe lokaleve afariste të sekuestruara. Koha e editimit: 01.11.2024, ora 22:19.