Foto-ilustrim

Gjykata e Prishtinës vendos ndaj dy personave që u arrestuan në rastin e 400 kg kokainë

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për dy të dyshuarit në rastin e 400 kilogramëve kokainë që janë sekuestruar në Lipjan në vitin 2021.

Të dyshuarve H.Sh dhe N.M u është caktuar paraburgimi me kërkesë të Prokurorisë Speciale me dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’.

Ndaj të pandehurit H.Sh qëndron edhe akuza për veprën penale ‘Pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar dhe posedim i paautorizuar i substancave narkotike’, ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në muajin maj të vitit 2021, 400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit.

Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e barte atë.

Në atë kohë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë se sipas informatave dërgesa ishte nisur nga Brazili.

Isufaj kishte rrëfyer se si kishin marrë informatën fillestare për nisjen e këtij operacioni anti-drogë dhe se gjatë tërë kohës kishin bashkëpunuar me autoritetet italiane e shqiptare dhe ka konfirmuar se pjesë e aksionit ka qenë edhe DEA amerikane.