Gjykata e Prishtinës ua vazhdon për të pestën herë masën e paraburgimit tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit

Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Të pandehurve iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024” – thuhet në përgjigjen me shkrim të Medina Gashit, nga zyra e kryetares së Gjykatës se Prishtinës.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në ora 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi, dhe sipas prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje. Ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje; për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje; ndërsa për Kushtrim Kokallën- marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Më 03.12.2023 Gjykata e Prishtinës ua kishte caktuar për herë të parë masën e paraburgimit prej një muaji tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, përkatësisht Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.

Kundër vendimit të Themelores për paraburgim, ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të dyshuarit, Naim Murseli, avokati Ahmet Ahmeti, ankesë e cila ishte refuzuar si e pabazuar nga Gjykata e Apelit.

Më 27.02.2024 Gjykata e Prishtinës kishte konfirmuar se të dyshuarve në fjalë iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Më 02.05.2024 Gjykata e Prishtinës kishte konfirmuar se ndaj të dyshuarve në fjalë do të aplikohej për herë të tretë masa e paraburgimit nën dyshimin për vrasjen e Liridona Murselit.

Më 17.04.2024 Gjykata Supreme kishte vendosur që i dyshuari i katërt, i cili sipas prokurorisë është i përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, T. D. do mbrohet në liri.

Supremja e kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë që kishte bërë mbrojtësi i T. D., kundër vendimit të Themelores dhe të Apelit, vendime këto që kishin vendosur që të dyshuarin e katërt ta lënë në paraburgim.

T. D. gjendej nën masën e paraburgimit që nga data 11.12.2023. I njëjti ishte arrestuar më 09.12.2024 për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve,

Në Qershor të këtij viti Gjykata e Prishtinës me vendimin e katërt me radhë ia kishte vazhduar të dyshuarve masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit,

Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi”.