Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata e Prishtinës sqaron çfarë do të ndodhë në Departamentin e krimeve te rënda

Avancimi i gjyqtarit Beqir Kalludra nga Gjykata Themelore e Prishtinës në atë të Apelit ka bërë që ky i fundit t`i anulojë të gjitha seancat gjyqësore të caktuara për këtë muaj. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja për informim e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Gjyqtari Beqir Kalludra i ka anuluar seancat gjyqësore pasi që i njëjti është përzgjedhur gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

E njëjta për KALLXO.com, ka shtuar se gjyqtarët të cilët janë caktuar nga KGJK për Departamentin speciale, nuk kanë asnjë pengesë për t`i përfunduar lëndët e tyre që i kanë në punë në Departamentin e krimeve të rënda, duke shtuar se asnjë lëndë nuk do të kthehet në pikën zero.

“Gjyqtarët të cilët janë caktuar nga KGJK për Departamentin special nuk kanë asnjë pengesë ligjore që krahas punës në Speciale t`i përfundojnë lëndët e tyre që i kanë në punë në DKR, prandaj iu vë në dijeni se asnjë lëndë nga DKR nuk do të kthehet në piken zero”, ka thënë Gashi.

Tutje ka treguar se në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjykojnë 16 gjyqtarë në Departamentin e përgjithshëm- divizionin penale, dhe se shumica prej tyre do të transferohen në Departamentin e Krimeve të Rënda, sipas saj kjo gjë që pritet të ndodh së shpejti, duke shtuar se nuk pritet të ketë ngecje të punës në Departamentin për Krime të Rënda të po kësaj Gjykate.

Kujtojmë se Beqir Kalludra, i cili është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin për Krime të Rënda, në mbledhjen e fundit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të mbajtur dje është përzgjedhur në mesin e gjyqtarëve të cilët u avancuan si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Po ashtu në Departamentin special, janë avancuar gjyqtarët, Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, Vesel Ismajli, Suzana Çerkini, Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani.