Përdoruesi i karrocës Faruk Kukaj ka paditur Komunën e Prishtinës për mungesën e infrastrukturës së nevojshme për përdoruesit e karrocës. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Gjykata e Prishtinës i aprovon pjesërisht padinë për diskriminim Faruk Kukajt, person me nevoja të veçanta

Faruk Kukaj, person me nevoja të veçanta, kishte paditur Komunën e Prishtinës për diskriminim dhe nga e njëjta kishte kërkuar rreth 321 mijë euro dëmshpërblim.

Në fjalën përfundimtare, mbrojtja e Kukajt kërkoi nga Gjykata një pagë minimale prej 250 euro në muaj për shoqëruesin që i duhet të mbrojturit të tij në përditshmëri dhe 300 mijë euro për dhimbjen shpirtërore të shkaktuar.

Gjykata e Prishtinës pjesërisht e aprovoi këtë kërkesë të paditësit Kukaj.

Me vendim Gjykata e obligon Komunën e Prishtinës që të kompensojë dëmin e shkaktuar jomaterial në vlerë prej 5,500 euro.

“Detyrohet e paditura – Komuna e Prishtinës, që paditësit – Faruk Kukajt, për shkak të diskriminimit nga mosveprimi, mungesa e ofrimit të kushteve fizike në hapësirat publike dhe qasjes në objektet publike për personat me aftësi të kufizuara, t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar jomaterial në emër të cenimit të dinjitetit në shumë prej 5,500 euro” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

E gjithashtu e obligon Komunën që të publikojë në media vendimin e Gjykatës, përmes të cilit konsiderohet se është vërtetuar se Komuna ka shkelur të drejtën e trajtimit të barabartë ndaj Faruk Kukajt.

Sipas padisë, Faruk Kukaj, si person me aftësi të kufizuara dhe shfrytëzues i karrocës si mjet për lëvizje, për shkak të mungesës së kushteve fizike në trotuaret e Prishtinës, nuk ka qasje të duhur për të lëvizur lirshëm në rrugët e qytetit.

Për shkak të mungesës së qasjes fizike, joadekuate në rrugët/trotuaret, me të cilat hapësira menaxhon e paditura (Komuna e Prishtinës), konkretisht Drejtoria për Shërbime Publike.

Pasi që rrugët të cilat Kukaj i frekuenton janë të patejkalueshme për të, si përdorues i karrocës, ai pretendon se është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet padrejtësisht ndryshe nga të tjerët, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Sipas Kukajt, Komuna e Prishtinës duke mos rregulluar infrastrukturën ka bërë dhe vazhdon të bëjë diskriminim ndaj tij, me ç’rast kjo është në mospërputhje me Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi.

Tutje në padi thuhet se, Kukaj gjithnjë ka nevojë për asistencë të së paku dy personave, në mënyrë që të arrijë në vendin e duhur, kjo për shkak të qasjes që nuk ofrohet nga Komuna e Prishtinës.

Me këtë Kukaj pretendon se Komuna e Prishtinës, jo vetëm që e ka trajtuar ndryshe por dhe i ka humbur mundësinë që ai të jetë pjesë e shoqërisë.

Në padi thuhet se Kukaj ndihet i ofenduar për shkak të cenimit të dinjitetit njerëzor dhe po ashtu pretendon se Komuna e Prishtinës ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë, gjë që është e ndaluar me Kushtetutë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi.

Qyteti i automjeteve që nuk gjen vend për ‘një karrocë’

www.kallxo.com