Foto-ilustrim

Gjykata e Prishtinës hedh poshtë aktakuzën për terrorizëm ndaj (ish) aktivistëve të Vetëvendosjes

Avokati Tomë Gashi ka njoftuar se Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e tij dhe të dy avokatëve të tjerë në lidhje hedhjen e aktakuzës ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, Çlirim Gerbeshi, Gezon Kastrati dhe Korab Korça për veprën – përgatitje e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë.

“Më në fund një vendim i drejtë i Gjykatës ndaj aktivistit të LËVIZJËS VETËVENDOSJE ! Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën time për hudhjen e aktakuzës ndaj aktivistit të LËVIZJËS VETËVENDOSJE Çlirim Gerbeshi. Po ashtu Gjykata aprovoi edhe kërkesën e avokatëve të z.Gëzon Kastrati dhe të z.Korab Korqa. Fatin e njejtë nuk e pati shoku i tyre Astrit Dehari i cili u vra në qendrën e paraburgimit në Prizren me dyshime për vepër penale të terorrizmit pa kurfarë baze ligjore, siç pa baze ishin akuzuar deri me sot : Çlirim Gerbeshi, Gezon Kastrati dhe Korab Korqa”, ka shkruar Gashi në facebook.

Gashi, Kastrati dhe Korça ishin akuzuar nga Prokuroria Speciale  për përgatitjen e 648 koktej mollotovi në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje po kundërshtonte Demarkacionin me Malin e Zi.

“Dëshmitë (sendet) e mbledhura gjatë kontrollit të depos në rrugën “28 Nëntori”, Prishtinë, me datë 01.09.2016 dhe të gjitha provat tjera që burojnë nga ato dëshim – raportet dhe ekspertizat, shpallen prova të papranueshme dhe përjashtohen nga shkresat e lëndës, pasi që të njëjtat nuk janë siguruar në mënyrë të ligjshme nga ana e policisë dhe prokurorisë“, thuhet në vendimin e Gjykatës.

 

Aktakuzë për terrorizëm ndaj kandidatit për deputet nga radhët e PSD-së