Gjykata e Pejës vendos për paraburgim për 7 të arrestuarit në operacionin e djeshëm kundër drogës

Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 7 personave që u arrestuan në aksionin e djeshëm kundër narkotikëve në rajonin e Dukagjinit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Kemi marrë konfirmimin nga gjyqtari i procedurës paraprake që është aprovuar kërkesa e Prokurorit të Shtetit që 7 të pandehurit të dërgohen në paraburgim” – ka thënë Nikçi për KALLXO.com.

Prokuroria dje ka treguar se gjatë aksionit ka sekuestruar dhe asgjësuar drogë në vlerë prej 600 mijë euro.

Sipas njoftimit, gjatë këtij operacioni janë bastisur 10 lokacione në dy qytete, në Deçan dhe Gjakovë.

“Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policinë e Kosovës sot kanë bastisur 10 lokacione, në Deçan dhe në Gjakovë, ku janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit 7 persona të dyshuar”- thuhej në njoftim.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale – kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës apo kanabisit, dhe për blerja, posedimit, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në njoftim ishte treguar se gjatë bastisjeve në komunën e Gjakovës janë sekuestruar rreth 500 gramë narkotikë të dyshuar të llojit kokainë, ndërsa gjatë bastisjes në komunën e Deçanit në disa lokacione janë sekuestruar dhe asgjësuar rreth 180 bimë të mbjella të narkotikëve të llojit marihUanë, në sasi totale mbi 100 kilogramë.

Po ashtu, në aksionin e djeshëm  janë sekuestruar edhe armë, telefona, para “cash” dhe prova tjera materiale të cilat do shërbejnë për ndriçimin e kësaj çështjeje penale.