Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës
Gjykata e Pejës mori vendim për njërin nga të akuzuarit në rastin “Brezovica”
Mustafë Hyseni, i akuzuar në rastin “Brezovica” për keqpërdorim të detyrës zyrtare me mosveprim është dënuar me 6 muaj dënim me burgim me mundësi zëvendësimi në dënim me gjobë në shumën 5 mijë euro.
Gjykata e Pejës e ka shpallur aktgjykimin të premten, më 08.11.2024.
I pandehuri kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë, e cila ishte aprovuar më 04.11.2024 dhe i njëjti është shpallur dëshmitar bashkëpunues për raste të tjera.
Lajmin për dënimin dhe mundësinë për ta zëvendësuar me gjobë e ka konfirmuar për KALLXO.com avokati i Mustafë Hysenit, Ymer Huruglica.
Hyseni akuzohet se si shef i Departamentit për Mbrojtje të Ujit dhe Mjedisit nuk kishte marrë veprime për ndaljen e veprimeve në zonën e Brezovicës.
Në këtë rast pos Hysenit të akuzuar janë edhe 11 veta të tjerë për vepra penale si keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, detyrim e armëmbajtje pa leje, lidhur me lëshimin e lejeve ndërtimore në zonën e mbrojtur të Brezovicës.
Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq, janë të akuzuarit e tjerë në këtë rast.
Gjykimi ndaj të akuzuarve të këtij rasti po zhvillohet në Gjykatën e Pejës.
Procesi gjyqësor është duke vazhduar për 11 personat e tjerë.
Në seancën e 06.11.2024 kishte dhënë dëshminë dëshmitari bashkëpunues por kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj- Mekaj ka marrë vendim për të mos u publikuar dëshmia e tij deri në përfundimin e dhënies së dëshmive nga dëshmitarët e tjerë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 miijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.
Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitiva të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.
60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.
Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.
Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.
Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.
Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Reçiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husein Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.
Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.
Më 17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.
Më 16.09.2024 në emisionin “Kallxo Përnime” janë transmetuar pamje nga bastisjet që ishin realizuar në fund të dhjetorit 2021 në çështjen e njohur si ‘Brezovica”.
Në materialet ekskluzive ishin transmetuar edhe momenti kur Krimet e Rënda të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria e Ferizajt kishin zbuluar në shtëpinë e ish-kryetarit Branislav Nikoliq disa grumbuj me para.
Hetuesit shihen në pamje duke numëruar monedha 500-euroshe, të cilat zbulohen në zona të ndryshme të shtëpisë.
Detaje të tjera lidhur me aktakuzën mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.
Për hulumtimin e këtij rasti ekipi i KALLXO.com ishte shpërblyer me çmimin e parë për gazetari hulumtuese nga Bashkimi Europian.
Por dy vite para transmetimit të këtij hulumtimi, KALLXO.com kishte intervistuar një sinjalizues, intervista me të cilin nuk është publikuar për shkak të hetimeve të Prokurorisë.
“Asnjë leje ndërtimi nuk ka mundur të merret pa u dhënë 10 mijë euro. Kemi pagu deri në 200-250 mijë euro për një leje. Ne kemi qenë zot të Brezovicës, kemi bo çka kemi deshtë, kemi arritë me e ndryshu emrin e lumit, prej lumë në rrjedhë ujore. Kemi pre male e kemi rrëzu lisa qindravjeçarë” – kishte thënë sinjalizuesi.
Në emisionin e transmetuar në “Kallxo Përnime” dëshmohet se dosja “Brezovica” kishte nisur të hetohej në vitin 2016, mirëpo atëkohë hetimet kishin ngecur. Provat që janë përmendur në emision tregojnë që ndërtimet në Brezovicë nisën pas vitit 2012 kur disa kompani shqiptare nisën të ndërtonin vila në atë zonë.
Të dhënat tregojnë se biznesmenët shqiptarë kishin krijuar lidhje në Komunën e Shtërpcës dhe përmes korrupsionit arrinin të merrnin leje të ndërtimit në komunë.
Sipas të dhënave, mbi 3 milionë euro janë dhënë ryshfet. Dyshimet janë se të përfshirë në këtë aferë përveç ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës edhe zyrtarë të tjerë, përfshirë njerëz në Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ambientit.
Në këtë zonë të mbrojtur kishin ndërtuar edhe figura të larta politike e gjyqtarë.