Sokol Bashota, PDK, Klinë. Foto: Atdhe Mulla

Gjykata e Pejës e bart në Klinë gjykimin e ish- kryetarit të Klinës

Ish-kryetari i Komunës së Klinës , Sokol Bashota pritet të gjykohet në Gjykatën e komunës që e ka udhëhequr.

Procesi gjyqësor për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit të Klinës, Enver Berisha, pritet të gjykohet në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Kjo pasi Gjykata e Pejës, që po e trajtonte këtë rast, e ka shpallur veten jo kompetente.

Ky vendim është marrë nga gjykatësi i çështjes në Gjykatën Themelore në Pejë, Ahmet Rexhaj.

Vendimi është marrë nga Rexhaj gati 10 muaj pasi çështja është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm nuk ka kompetencë territoriale për të vendosur ndaj të pandehurve Sokol Bashota dhe Enver Berisha, pasi vepra penale për të cilën të pandehurit akuzohen është kryer brenda territorit të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Klinë.

“Gjykata Themelore në Pejë, ka gjetur se nuk është kompetente në pikëpamje territoriale për të vepruar në këtë çështje penale”, thuhet në arsyetimin e gjykatësit Rexhaj.

Gjykata ka vlerësuar se vepra është kryer brenda territorit të Klinës.

“Kjo Gjykatë vlerëson se në këtë çështje penale, kompetente në pikëpamje territoriale është Gjykata Themelore në Pejë-dega në Klinë, Departamenti i Përgjithshëm, ngase të pandehurit Sokol Bashota dhe Enver Berisha për veprën penale të lartcekur akuzohen sipas aktakuzës e kanë kryer në Klinë” thuhet tutje në vendim.

Sipas vendimit të gjykatësit, sapo ky vendim të bëhet i plotfuqishëm, lëndën së bashku me shkresat e lëndësdo t’ia përcjellë në kompetencë territoriale  degës së gjykatës në Klinë.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit duke prishur kështu aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës.

Sokola Bashota akuzohet për tri vepra penale të deklarimit të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMW X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë, në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.

Enver Berisha akuzohet se nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion tokën me sipërfaqe prej 5.500 metrash katrorë

Gjykimi i Sokol Bashotës kthehet në pikën zero