Gjykata e Pejës dënon ndërtuesin por nuk urdhëron rrënimin e hotelit pa leje në Rugovë

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor Mahir Shalën nga kompania ndërtuese ‘INTERN INVESTMENT GROUP’, me seli në Pejë, pasi e njëjti ka ndërtuar objekt hotelier në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, pa leje.

Gjykata e ka dënuar Shalën me 6 muaj burgim, që u shndërrua në gjobë 2 mijë e 500 euro.

Por, gjyqtari i çështjes Murat Hulaj nuk ka urdhëruar rrënimin e objektit i cili rezulton pa leje, përkundër propozimit nga ana e prokurorisë që objekti të rrënohet.

Dispozitat ligjore për ndërtime pa leje parashohin qe objektet pa leje duhet të rrënohen dhe shpenzimet i bart pala e akuzuar.

Në një përgjigje për KALLXO.com Gjykata e Pejës ka bërë të ditur se nuk është shqiptuar dënim plotësues për rrenim të objektit, edhe pse i njëjti objekt është pa leje.

“Dënim me burgim 6 muaj i cili dënim me pëlqimin e të pandehurit i është shndërruar  në dënim me gjobë në shumë prej 2.500 euro. E dëmtuara është udhëzuar në kontest civil” tha zëdhënësja e gjykatës Tringa Zhuti.

Ky proces gjyqësor është mbajtur i mbyllur përkundër kërkesës për informata dhe qasje në dokumente.

Prokuroria kërkon rrënimin e hotelit pa leje në Rugovë, Gjykata e mban gjykimin “nën dry”

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.