Arkiv - Gjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Gjykata e Pejës cakton 22 majin për nisjen e rigjykimit ndaj të akuzuarit, Shaban Gogaj për vrasjen e Agonis Tetajt

Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit më 28 mars 2023, që rastin e vrasjes së Agonis Tetajt ta kthejë në pikën zero, Gjykata e Pejës ka caktuar 22 majin e këtij viti, datë në të cilën pritet të fillojë procesi gjyqësor në rigjykim ndaj të akuzuarit, Shaban Gogaj.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Berat Tmava.

Tetaj ishte vrarë në vitin 2018 në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Për vrasjen e tij po akuzohet Shaban Gogaj, i cili është i biri i pronarit të kompanisë.

Gogaj nga Themelorja ishte dënuar me 7 vite e gjashtë muaj dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia e armëmbajtje pa leje.

Lidhur me cilësimin juridik të veprës penale që i akuzuari pritet të ballafaqohet në rigjykim, sipas përfaqësuesit të palës së dëmtuar nga thirrja e bërë nga gjykata, do të jetë vrasje e rëndë, e jo vrasje nga pakujdesia.

“Në ftesë, vepra penale që dyshohet i akuzuari është vrasje e randë, edhe me qata ka ma ja nis, edhe gjykata e Apelit ka thanë që duhet me ja nis me aktakuzën e prokurorisë Themelore në Pejë”- tha Tmava.

Dënimi për veprën penale të vrasjes së rëndë sipas neni 179 të kodit penal të Kosovës dënohet me jo më pak se 10 vite dënim me burgim

Lidhur me vendimin e shkallës së parë, Gjyakta e Apelit në përbërje prej Beqir Kalludrës, kryetar i kolegjit, Hashim Çollaku dhe Kadrije Goga Lubishtani, ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet me shkelje të cilat nuk mund të jenë pjesë përbërëse e çështjes penale dhe të njëjtat aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë e bëjnë të pakuptueshëm.

Sipas vlerësimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet edhe në shkelje të ligjit penal.

Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Për vrasjen e tij po ngarkohet djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe çështja ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.

Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.

Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Akuza ishte ricilësuar në seancën e fundit gjyqësore nga prokurori Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit.

Për këtë rast pastaj dolën edhe detaje te reja.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës i Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo fotografi u publikua në KALLXO.com disa ditë pas rikualifkimit të vrasjes nga prokurori Uka.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.

Në njërën anë kryeprokurori kërkonte të merreshin prova të reja, në anën tjetër gjykimi kishte përfunduar me pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj për akuzën e re të ricilësuar nga prokurori Uka.

Në ditën e shpalljes së vendimit, Gjykata e Pejës në trupin gjykues të kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova kishte vendosur të rihapë shqyrtimin, duke revokuar edhe vendimin për pranimin e fajësisë së Gogajt.

Gjykata po ashtu i kishte dhënë afat Prokurorisë që të paraqesë provat e reja.

Vendimin për rihapje, avokati Berisha e konsideroi të kundërligjshëm duke thënë se kjo do të lë njollë në sistemin e drejtësisë.

Gjykimi pastaj vazhdoi me prokurorin e ri, Isuf Sadiku, i cili ndryshoi aktakuzën duke qëndruar pranë akuzës fillestare – asaj për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Me rastin e procedimit të dëshmitarëve, Gjykata ka marrë një vendim që përjashtoi mbrojtësin Besnik Berisha nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt.

Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkuar me zvarritje të shumta.

Vetë Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Berishës, e në anën tjetër edhe Oda e Avokatëve të Kosovës nuk pranonte të caktonte avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.

Nga OAK ishte marrë vendim për këtë çështje, e avokatët ishin paralajmëruar se kush nuk e respektonte atë vendim do të përgjigjej për shkelje disiplinore.

Reagime të shumta për këtë vendim të OAK pati edhe nga Ministria e Drejtësisë.

Deri te zhbllokimi i procesit erdhi pasi Oda e shfuqizoi vendimin e saj për moscaktim të avokatëve.