Gjykata e Malit të Zi vendos përsëri për deportimin e 'gylenistit' në Turqi

Një gjykatë në Bijelo Polje në Mal të Zi vendosi për herë të dytë që të lejojë ekstradimin në Turqi të një përkrahësi të klerikut të mërguar Fethullah Gulen, por avokati i tij tha se ai do të kundërshtojë vendimin.

 

Gjykata e Lartë në Bijelo Polje të Malit të Zi ka vendosur sërish ta ekstradojë anëtarin e lëvizjes gyleniste, Harun Ayvaz, në Turqi ku po kërkohet për vepra të dyshuara terrorizmi.

Aktvendimi, i marrë në 14 tetor, erdhi pasi Gjykata e Apelit me seli në Podgoricë ka hedhur poshtë vendimin e mëparshëm të gjykatës së Bijelo Polje, në të cilën thoshte se Ayvaz duhet të ekstradohet në Turqi.

Avokati për të drejtat e njeriut, Dalibor Tomoviq, i cili tani po përfaqëson Ayvaz, i tha BIRN-it se ai do të kundërshtojë vendimin e fundit.

“Unë zyrtarisht e pranova rastin dje dhe ne do të kundërshtojmë vendimin brenda tre ditëve të ardhshme,” tha Tomoviq.

Tomoviç argumentoi se vendimi nuk ishte në përputhje me kushtetutën e Malit të Zi ose ligjin ndërkombëtar.

“Me këtë vendim, gjykata e lartë në Bijelo Polje pranoi arsyetimin e Turqisë për ekstradimin e Ayvaz. Arsyet përfshijnë se lëvizja Gylen është një organizatë terroriste, dhe të kesh llogari në Bankën Asya është një provë e të qenit një terrorist”, shpjegoi Tomoviq.

Sipas gruas së tij, Ayvaz akuzohet se ka një abonim në gazetën Zaman të lëvizjes Gulen, përmes përdorimit të aplikacionit Bylock në telefonin e tij, për të cilin një gjykatë turke ka vendosur që është një provë e mjaftueshme për të lidhur një përdorues me lëvizjen Gulen, dhe depozitimi i parave në një llogari në Bank Asya – një bankë me lidhje me Gulen.

Tomoviq pretendoi se Mali i Zi po e mban Ayvaz në paraburgim për arsye politike.

“Të gjithë e dinë që ai është në burg për shkak të arsyeve politike dhe madje gjykata e këshilloi atë që të kërkojë azil, por tani ata po pranojnë kërkesën e Turqisë për ekstradimin e tij,” tha ai.

Nëse Gjykata e Apelit në Podgoricë tani vendos që Ayvaz mund të ekstradohet, Ministria e Drejtësisë do të marrë vendimin përfundimtar nëse do ta dërgojë atë në Turqi apo jo.

Sidoqoftë, Tomoviq tha se Ayvaz gjithashtu ka një kërkesë paralele për azil, të cilën ai e paraqiti në 24 tetor.

“Edhe nëse Gjykata e Apelit dhe Ministria e Drejtësisë vendosin ta ekstradojnë atë, ata duhet të presin të dëgjojnë vendimin përfundimtar në lidhje me kërkesën për azil të Ayvaz,” shpjegoi avokati.

Qeveria turke akuzon Gulen, i cili jeton në mërgim të vetë-imponuar në SH.B.A., se ishte pas një përpjekje të dështuar për grusht shteti në 2016.

Pas përpjekjes për grusht shteti, ajo filloi t’i referohej lëvizjes së Gulenit si ‘Organizata Terroriste Fetullahiste’, apo FETO shkurtimisht.

Që atëherë, Ankaraja ka arrestuar dhjetëra mijëra njerëz, pushoi qindra mijëra nga punët e shërbimit publik dhe mbylli mijëra kompani, OJQ dhe institucione arsimore për shkak të lidhjeve të tyre të pretenduara me gylen.

Qeveria e Rexhep Tajip Erdogan u ka kërkuar me forcë shteteve të Ballkanit që të dorëzojnë gylenistët e supozuar dhe të mbyllin çdo institucion që lidhet me lëvizjen e klerikut mysliman.

Shumica i kanë rezistuar thirrjes së qeverisë Erdogan për ekstradime, por agjensia turke e inteligjencës ka qenë e përfshirë në dy operacione të diskutueshme për të dërguar përsëri të dyshuarit Gylenist nga Kosova dhe Moldavia, të cilat kanë ndezur skenën politike në të dy vendet.