Gjykata e liron të dyshuarin për kërcënim ndaj prokurores Drita Hajdari

Gjykata e Prishtinës e ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit për kërcënim ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari.

A.A. dyshohet për veprën penale – shtytje në vrasje.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit A.A dhe të njëjtit i ka caktuar masën ndalim për t’iu afruar personit të caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, andaj obligohet i pandehuri A.A që të mos i afrohet të dëmtuarës – prokurores së PSRK-së D.H  në distancën prej së paku 100 metra”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata ka konstatuar se kjo masë e shqiptuar ndaj personit A.A. është e mjaftueshme.

“Është masë e mjaftueshme dhe adekuate për zhvillimin e pa penguar të rrjedhës së procedurës penale në këtë fazë të procedurës penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Të shtunën Drita Hajdari, prokurore e Prokurorisë Speciale ka deklaruar se ka pranuar kërcënime serioze.

Pas intervistës që prokurorja e dha të premten për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, kërcënime dhe fyerjet vërshuan edhe në rrjete sociale. Një nga komentet mbi intervistën ishte edhe një kërcënim “Ty të kisha vjerrë në shesh për dënim”.

Drita Hajdari është prokurorja që ka ngritur aktakuzën në rastin e ashtuquajtur “Pronto”.

Lidhur me këtë rast ku janë akuzuar ndër të tjerë ish-deputeti Adem Grabovci dhe ish-ministri Besim Beqaj, Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuzat.

Rrëfimi i Prokurores së ‘Prontos’

Rrëfimi i Prokurores së ‘Prontos’