Gjykata e Lartë e SHBA-së shfuqizoi të drejtën për abort

Miliona gra në SHBA do ta humbasin të drejtën ligjore për abortin, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi një vendim 50-vjeçar që e legalizoi atë në mbarë SHBA-në.

Gjykata e lartë e hodhi poshtë vendimin historik “Roe kundër Wade”, disa javë pasi një dokument i paprecedentë i zbuluar sugjeroi që ajo favorizonte një gjë të tillë.

Vendimi në fjalë do t’i transformojë të drejtat e abortit në Amerikë, me shtetet individuale që tani mund ta ndalojnë procedurën.

Gjysma e shteteve amerikane pritet të vendosin kufizime ose ndalime të reja.

Trembëdhjetë shtete amerikane tashmë i kanë miratuar të ashtuquajturat ligje të nxitjes që automatikisht do ta shpallin të jashtëligjshëm abortin pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Një numër i të tjerëve ka të ngjarë t’i kalojnë shpejt kufizimet e reja.

Në total, qasja ndaj abortit pritet të ndërpritet për rreth 36 milionë gra të moshës riprodhuese, sipas hulumtimit nga Planned Parenthood, një organizatë e kujdesit shëndetësor që ofron aborte.

Gjykata e Lartë kishte shqyrtuar një çështje, Dobbs kundër Organizatës së Shëndetit të Grave Jackson, që e kundërshtonte ndalimin e Mississippi-t për abortin pas 15 javësh.

Mirëpo, gjykata me shumicë konservatore vendosi në favor të shtetit me një votim 6 pro dhe 3 në vija ideologjike – duke i dhënë fund efektivisht të drejtës kushtetuese për një abort.

“Prandaj, ne mendojmë se Kushtetuta nuk i jep të drejtën e abortit… dhe autoriteti për ta rregulluar abortin duhet t’i kthehet popullit dhe përfaqësuesve të tij të zgjedhur,” thuhej në vendim.

Çështja historike e vitit 1973 Roe kundër Wade pa që Gjykata e Lartë vendosi me një votim 7 me 2 se e drejta e një gruaje për ta ndërprerë shtatzëninë e saj mbrohej nga kushtetuta e SHBA.

Vendimi u dha grave amerikane një të drejtë absolute për një abort në tre muajt e parë (tremujorin) e shtatzënisë, por lejoi kufizime në tremujorin e dytë dhe ndalime në tremujorin e tretë.

Megjithatë, në dekadat që nga ajo kohë, vendimet kundër abortit e kanë frenuar gradualisht qasjen në më shumë se një duzinë shtetesh.

Vendimi i së premtes përbën një ndryshim të plotë të precedentit ligjor të Gjykatës së Lartë – një veprim jashtëzakonisht i rrallë – dhe ka të ngjarë të krijojë beteja politike që do ta përçajnë kombin amerikan.

Në shtetet ku mendimet për abortin janë të ndara ngushtë – si Pensilvania, Miçigani dhe ëisconsin – ligjshmëria e procedurës mund të përcaktohet në bazë të zgjedhjeve. Në të tjerat, vendimi mund ta nisë një raund të ri betejash ligjore, duke përfshirë nëse individët mund të dalin jashtë shtetit për aborte ose të porosisin ilaçe për abortin përmes shërbimeve postare.

Guvernatorët demokratë të disa shteteve, përfshirë Kaliforninë, Nju Meksikën dhe Miçiganin i kanë bërë të dituar tashmë planet për t’i përfshirë të drejtat e abortit brenda kushtetutave të tyre nëse Roe v ëade hidhet poshtë.

Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris u takua gjithashtu me prokurorët e përgjithshëm demokratë të shtatë shteteve të enjten për të diskutuar se si të mbrohen të drejtat e abortit./BBC