Gjykimi i Safet Krasniqit. Foto: KALLXO.com

Gjykata e kundërshton hedhjen e aktakuzës për zyrtarin e ATK-së

Safet Krasniqi, zyrtari i Administratës Tatimore të Kosovës po akuzohet nga prokuroria se në pozitën e ushtruesit të drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës ka keqpërdorur pozitën e tij.

Lidhur me këtë rast, i akuzuri dhe mbrojtja e tij kërkuan nga gjykata hudhjen e akuzës dhe kundërshtuan provat e Prokurorisë.

Megjithatë, Gjykata e Prishtinës ka refuzuar këtë kërkesë.

Me këtë vendim nuk pajtua mbrojtësi i të akuzuarit Safet Krasniqi, avokati Blerim Prestreshi i cili ushtroi ankesë në Gjykatën e Apellit.

I pyetur sot KALLXO.com, nëse kishte Gjykata e Apelit ka vendosur lidhur me ankesën të cilën e kishte parashtruar përmes email-it, ai tha se ende nuk është vendosur ndaj klientit të tij.

“ Gjykata nuk i ka shqyrtuar pretendimet tona, janë tri pika të rëndësishme dhe ato nuk i ka adresuar fare”, tha Prestreshi.

I akuzuari Krasniqi, më datë 22 janar 2020, ishte deklaruar i pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Enver Krasniqi.

Aktakuza e fundit e precizuar më 21 janar 2020, shpjegon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri në periudhën kohore nga vitit 2013 deri në muajin shkurt të vitit 2019, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar në ATK, i pandehuri Safet Krasniqi, në pozitën e ushtruesit të drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe të Inteligjencës, ka kepërdorur detyrën.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka pasur njohuri se ekzistojnë biznese të shumta të cilat janë të përfshira në transaksione fiktive, si dhe ka pasur njohuri se këto biznese me qëllim që t’i shmangen tatimit ndaj buxhetit të Kosovës, nuk i kanë paguar obligimet tatimore, si dhe kanë përpiluar dokumentacion fiktiv me qëllim që t’i ikin tatimit, duke i rritur shpenzimet, duke faturuar mall dhe shërbime inekzistente për të cilat janë lëshuar fatura fiktive nga biznese fiktive, me qëllim që të njëjtat t’i ikin TVSH-së, nuk ka ndërmarrë veprime të vizitave, kontrollit apo inicimit të procedurës penale ndaj bizneseve që kanë deklaruar rrejshëm.

Gjithnjë sipas aktakuzës thuhet se i njëjti me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme që të përcaktuara me ligj, përkatësisht detyrat e parapara në nenin 74,75, dhe 76 të Ligjit të ATK-së, ku si pasojë e veprimeve të pandehurit, këto biznese kanë përfituar shumën prej 883,478,56 euro, në mënyrë të kundërligjshme dhe si pasojë njëkohësisht është dëmtuar edhe buxheti i Republikës së Kosovës, në po të njëjtën shumë nga mospagimi i tatimit në mënyrë të duhur nga këto biznese.

Tutje, thuhet se i pandehuri, po ashtu, u ka mundësuar bizneseve të cilat kanë qenë në përfshirje të blerjeve të faturave fiktive me bizneset fiktive që ta bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore, të falsifikuar edhe pse i pandehuri e ka ditur se një veprim i tillë është i kundërligjshëm, pasi që bizneset i kanë falsifikuar deklarimet tatimore, me qëllim të shmangies tatimore.

Sipas akuzës, i akuzuari verbalisht i ka autorizuar udhëheqësit e ekipeve të NJHT-së, që të kryejnë vizita dhe rikontrolle te këto biznese dhe të kërkojnë nga ato korrigjimin e deklaratave tatimore që kanë qenë false, fiktive dhe të pasakta, edhe pse përdorimi i dokumenteve të falsifikuara, të rreme apo fiktive sipas nenit 398 të Kodit Penal dhe nenit 63 të Ligjit për ATK-në paraqet vepër penale, ku si pasojë i pandehuri u ka mundësuar bizneseve që t’i shmangen ndjekjes penale nëpërmjet korrigjimit, ku korrigjimi është bërë nga vetë bizneset, por sipas vizitave dhe kërkesave të udhëheqësve të ekipeve dhe hetuesve tatimorë të NJHT-së, të cilët kanë bërë vizitat dhe kërkesat për korrigjim sipas urdhrit të të pandehurit.

Më tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri në një takim të mbajtur me Jeton Dragushën dhe Kadri Gashin, më 29 korrik 2013, në zyrë të NJHT-së, ka kërkuar nga ata që t’u japin afat kohor prej 5-7 ditëve bizneseve që kanë pasur kontroll më herët të cilat të përshkruara në arsyetimin e kësaj aktakuze e që kanë rezultuar me fatura fiktive, në mënyrë që të njëjtat t’i korrigjojnë deklarimet si dhe i pandehuri ka kërkuar që ndaj këtyre bizneseve të mos iniciohet ndjekja penale edhe pse i pandehuri ka qenë i obliguar me ligj që të kryejë hetim penal.

Në nëntor të vitit 2016, emisioni “Jeta në Kosovë” kishte realizuar një seri hulumtimesh rreth vjedhjes së organizuar tatimore.

Në pjesën e parë të emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ për vjedhjet e organizuara tatimore, Murat Mehmeti ka rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në vlerë miliona euro.

Dështon seanca ndaj zyrtarit të lartë të ATK-së