Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com
Gjykata e konsideroi "të varfër" personin që dyshohet se i dha 65 mijë euro dhurata Lavdim Krasniqit
Drejtori tashmë i suspenduar i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi dyshohet se kishte ndikuar uljen e dënimit të një personi në këmbim të dhuratave me vlerë mijëra euro. Sipas Prokurorisë, nën ndikimin e Krasniqit, të akuzurit i ishte ulur dënimi e nën arsyetimin se është i varfër.
Krasniqi po dyshohet se është i implikuar në afera korruptive pasi sipas Prokurorisë ka ndikuar në gjykatë për uljen e dënimit të të dënuarit me 4 vite e 7 muaj burgim.
Dyshimet në këtë rast sipas Prokurorisë janë se i dënuari B.M i kishte dhënë Lavdim Krasniqit para dhe dhurata në vlerë 65 mijë euro për zbutjen dhe mos ekzekutimin e dënimit.
B.M ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës për katër vepra penale, saktësisht për tentim vrasje, lëndim të lehtë trupor, asgjësim të pasurisë dhe armëmbajtje pa leje.
Për ta ulur lartësinë e këtij dënimi sipas Prokurorisë ai i kishte dhënë para Lavdim Krasniqit.
Në dosje thuhet se ulja e dënimit kishte ndodhur me ndikimin e drejtorit të sekretariatit të KPK-së.
KALLXO.com ka siguruar aktgjykim e Gjykatës së Apelit ku shihet se të dënuarit B.M i është zbutur dënimi.
Dënimi ndaj tij kishte rënë në 3 vite e 7 muaj dhe për uljen kishin vendosur gjyqtarët Xhevdet Abazi, Driton Muharremi dhe Afrim Shala.
Kolegji në të cilin Xhevdet Abazi ishte kryesues e kishte vlerësuar të ashpër dënimin e Gjykatës së Prishtinës pasi sipas tyre nuk ishin marrë për bazë të gjitha rrethanat lehtësuese.
Ulja e dënimit kishte ndodhur përkundër faktit se Prokuroria kishte kërkuar që të dënuarit B.M t’i ‘ashpërsohej dënimi të cilin Prokuroria e vlerësonte të ulët në krahasim me veprimet e të dënuarit.
Sipas Kolegjit të Apelit i dënuari ishte në gjendje të varfër ekonomike, i pa punë dhe baba i tre fëmijëve dhe kishte pranuar fajin për dy nga veprat që akuzohej.
Për këto arsye ata kishin vendosur që B.M ta dënojnë me një vit më pak se sa gjykata e shkallës së parë.
Mirëpo sipas pretendimeve të prokurorisë B.M brenda periudhës kohore kur ishte vlerësuar nga apeli në gjendje të varfër ekonomike u kishte dhënë para dhe dhurata në vlerë 65 mijë euro drejtorit Lavdim Krasniqi, shoferit dhe asistentes së tij.
Madje dyshimet shkojnë edhe më larg pasi Krasniqi në dosje thuhet se kishte marrë dhurata me pretendimin se ishte në gjendje që të ushtronte ndikim për zbutjen e dënimit edhe në gjyqtaret e Gjykatës Supreme.
Përpos dyshimeve për ushtrim ndikimi ai po dyshohet edhe se përmes shoferit të tij me veturën zyrtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës i kishte ndihmuar një të dyshuari për tentim vrasje që të arratisej nga Kosova.
Drejtori Krasniqi dhe shoferi i tij aktualisht po mbahen në paraburgim ndërsa asistentja Marigona Berisha gjendet në arrest shtëpiak.
Lavdim Krasniqi ishte arrestuar me 1 mars të këtij viti. Të nesërmen e arrestimit ai u suspendua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës me 50% të pagës.