Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons
Gjykata e Gjilanit ka vendosur ndaj kirurgut dhe anesteziologut, të dyshuar për marrje të ryshfetit
Gjykata e Gjilanit ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj kirurgut dhe një anesteziologut të Sputalit të Gjilanit, të cilët po dyshohet se morën ryshfet nga një pacient.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi, Sabit Shkodra, zëdhënësi i Gjykatës së Gjilanit.
Sipas organeve të drejtësisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 prill 2023, rreth orës 19:45, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, të pandehurit H.B. dhe L.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, si persona zyrtarë, kanë përfituar për vete, në atë mënyrë që i pandehuri H.B. – anesteziolog, me rastin e operimit të pacientes, M.S., në Repartin e kirurgjisë, ka kërkuar dhe marrë para nga familjarët e saj.
Gjithashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se edhe i pandehuri L.M. – mjek kirurg, me rastin e operimit të pacientes së lartshënuar ka pranuar para nga familjarët e saj.
Një anesteziolog dhe një kirurg në Gjilan, janë arrestuar nga Policia nën dyshimin se kanë marrë ryshfet për të kryer një ndërhyrje.
Të pandehurit janë arrestuar nga ana e zyrtarëve policorë pas kryerjes së masës së simulimit dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.