Princ Valentino Corleone - Foto: Facebook

Gjykata e Gjilanit e dënon Princvalentino Corleonen

Princvalentino Corleone është dënuar sot nga Gjykata e Gjilanit.

Gjykata e ka gjetur fajtor Corleonen për veprat penale – armëmbajtje pa leje dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe e ka dënuar me dënim unik 5,200 euro gjobë.

Lajmin për dënimin e Carleones për KALLXO.com e ka konfirmuar mborojtësja e tij, avokatja Adelina Sherifi.

“Mund të konfirmoj se i mbrojturi im është dënuar me dënim unik në shumën prej 5,200 euro. Fillimisht  për armëmbajtje pa leje u dënua me dënim me gjobë në shumën prej 1,600 euro, kurse për veprën penale të posedimit të narkotikut u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muaj dhe 800 euro gjobë. Me kërkesen tonë dënimi i është shëndrruar në dënim me gjobë, pra në shumën prej 5.200 euro”, tha avokatja Sherifi.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Corleone më 14 prill 2021, rreth orës 16:00, në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin për armët, ka mbajtur një armë automatike të llojit “Scorpion”, me pesë karikatorë dhe 118 fishekë të kalibrit 7.65 mm.

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari Corleone pa autorizim ka poseduar substancë narkotike dhe atë të llojit kokainë, me peshë prej 2.77 gramë, e cila është gjetur me rastin e kontrollimit nga ana e zyrtarëve policorë në dhomën e tij të ndejës.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.