ARKIV - Granit Elshani në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Gjykata e Gjakovës: Granit Elshani i dënuar nga Apeli me 24 vite burgim, nuk u gjet në shtëpinë e tij

Gjykata e Gjakovës ka konfirmuar se është njoftuar nga Policia e Kosovës, se i dënuari nga Gjykata e Apelit me 24 vite burgim, Granit Elshani nuk është gjetur në shtëpinë e tij.

Kështu ka konfirmuar Gjykata e Gjakovës në një përgjigje për KALLXO.com, më 27.09.2024.

KALLXO.com raportoi më 25.09.2024, se Gjykata e Apelit e ka gjetur fajtor Granit Elshanin për një vrasje të vitit 2010 në një diskotekë të Pejës – një prej ngjarjeve më të bujshme të këtij qyteti.

Kujtojmë se vendimi i Apelit lidhur me dënimin me 24 vite burgim ndaj Granit Elshanit nuk është i plotfuqishëm pasi kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej tridhjetë ditëve (30), në Gjykatën Supreme të Kosovës, nëpërmjet kësaj Gjykate.

Ndërkaq, Gjykata Themelore e Gjakovës ka konfirmuar më datë 20.09.2024 ka lëshuar urdhëresë për Stacionin Policor në Pejë, që i pandehuri të dërgohet nga shtëpia e tij në Qendrën e Paraburgimit. Por Policia të njëtin nuk e kishte gjetur në shtëpi – thekson gjykata.

“Nga raporti i policisë për zbatimin e urdhëresës, jemi njoftuar se i pandehuri G.E. nuk është gjetur në shtëpi, dhe sipas deklarimit të familjarëve të tij, ai nuk ndodhet në Kosovë. Më datën 24.09.2024, Gjykata ka lëshuar një urdhërarrest drejtuar Stacionit Policor në Pejë, duke i urdhëruar ata të ndërmarrin veprime për arrestimin e të pandehurit G.E. dhe ta dërgojnë atë në Qendrën e Paraburgimit. Deri në atë moment, nuk kishte asnjë informacion lidhur me ekzekutimin e urdhërarrestit të datës 24.09.2024, dhe Gjykata ka konstatuar se Stacioni Policor në Pejë nuk ka arritur ende të ekzekutojë këtë urdhërarrest”- thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Gjykata e Gjakovës më tej thekson se për Granit Elshanin është lëshuar letërreshtim vendor, i cili do të shpallet nga Policia e Kosovës.

“Gjykata, duke u bazuar në faktet e lartpërmendura, ka konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për të lëshuar urdhër për shpalljen e Letërreshtimit vendor. Sot, më datën 27.09.2024, është lëshuar Letërreshtim vendor, i cili do të shpallet nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Pejë, në të gjitha Stacionet Policore të Kosovës dhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës”- theksohet në përgjigje.

KALLXO.com më 26.09.2024 ka kontaktuar edhe me avokaten e Granit Elshanit, Kosovare Kelmendi, për ta pyetur në rast se i njëjti ishte njoftuar për vendimin e Apelit.

“Jam e njoftuar unë edhe unë i ndërmarrë mjetet ligjore tutje për këtë vendim skandaloz, kalkulativ e matematika…” – kishte thënë avokatja Kelmendi më 26.09.2024 për KALLXO.com.

Gjykata e Apelit i ka shqiptuar Granit Elshanit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 24 viteve. Përmes këtij aktgjykimi, i akuzuari Granit Elshani është shpallur përgjegjës për veprat penale – vrasje e rëndë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Me këtë vendim, Gjykata e shkallës së dytë e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Gjakovës të datës 26.02.2024, e cila e kishte liruar Granit Elshanin nga akuzat për dy veprat penale të lartcekura.

Ankesa e Prokurorisë kundër aktgjykimit paraprak ishte gjetur e bazuar nga kolegji i përbërë prej gjyqtarëve Ferit Osmani, kryetar, dhe anëtarëve Afërdita Bytyçi dhe Burim Ademi.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar se më 02.01.2010, rreth orës 22:45, në një diskotekë në Pejë, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka”, me qëllim hakmarrjeje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V. K., Granit Elshani me dashje eventuale ka privuar nga jeta viktimën B. Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V. K. dhe A. B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm.

Dispozitivi i aktgjykimit përshkruan se në natën kritike Granit Elshani ka hyrë në diskotekë, ku po festohej Viti i Ri, me qëllim për ta privuar nga jeta V. K., dhe ka nxjerrë dy armë, një revole ngjyrë të zezë dhe një ngjyrë të bronztë dhe ka filluar të gjuajë në drejtim të tij, me ç’rast në afërsi me V. K. ishte viktima B. Sh.

Nga këto gjuajtje viktima B. është goditur nga një predhë në gjoks, e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa V. K. po ashtu goditet me një predhë në gjoks, me ç’rast është plagosur dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore

Aktgjykimi përshkruan se i akuzuari në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, me dy armët që i mbante në duar përpjetë, ka vazhduar të gjuajë në drejtime të ndryshme brenda lokalit dhe me këtë rast me një predhë e ka goditur të dëmtuarën A. B., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. E njëjta po festonte Vitin e Ri me miqtë e saj.

I akuzuari me gjuajtjet me armë, sipas vendimit, ka vënë në rrezik një numër të madh të personave që ishin duke festuar në diskotekë.

Gjykata më tej ka vërtetuar se në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, Granit Elshani është vërejtur dhe përcjellë nga i dëmtuari – zyrtari policor H. B., i cili nuk ishte në detyrë zyrtare në natën kritike, por ishte në diskotekë duke festuar.

Gjatë ikjes, sipas vendimit, i pandehuri Granit Elshani ka shtënë në ajër dhe e ka gjuajtur me pistoletë policin i cili po përpiqej ta ndalonte, duke i shkaktuar të njëjtit lëndim të rëndë trupor.

Në dënimin me burgim të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 25.10.2016, e deri më 30.11.2023.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Më 31.05.2018 Granit Elshani ishte dënuar për herë të parë nga Gjykata e Pejës me 25 vjet dënim me burgim por Apeli rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Lidhur me këtë rast, Elshani për herë të dytë më 14.03.2022 ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës me 24 vjet burgim nën akuzën se ka kryer 1 vrasje dhe 2 vepra tjera penale.

Ky vendim ishte apeluar nga palët duke kthyer rastin në rigjykim për t’u gjykuar nga Gjykata e Gjakovës.

Me 26.02.2024 Gjykata e Gjakovës e kishte liruar nga dy akuzat Granit Elshanin.