Gjykata e Ferizajt vendos ta largojë nga shtëpia ish- gruan e zyrtarit komunal në Ferizaj

Një nënë nga Ferizaj së bashku me vajzën e saj janë të rrezikuar të mbesin pa kulm mbi kokë. Atyre po ju mohohet e drejta të qëndrojnë në shtëpinë ku kanë jetuar  tash e 17 vite së bashku me kryefamiljarin A.Z, zyrtar komunal në Ferizaj i cili ishte dënuar për dhunë ndaj gruas me iniciale M.Z.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj për këtë rast ku thotë se M.Z duhet të lëshojë shtëpinë menjëherë në të kundërtën do të largohet me dhunë.

“Aprovohet propozimi i kreditorit dhe lejohet ekzekutimi i aktvendimit përmbarues C.nr.3/19 i datës 10.07.2020, urdhërohet debitorja ta lirojë shtëpinë e kreditorit menjëherë, në të kundërtën debitorja do të largohet me forcë në momentin e marrjes së këtij aktivendimi”, thuhet në vendim.

Ky vendim është marrë dy ditë më parë nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

A.Z, i cili është zyrtar komunal në Komunën  e Ferizajt muaj më parë ishte dënuar nga shkalla e parë në gjykatë se kishte  ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj gruas së tij M.Z.

Ai ishte dënuar në shkallën e parë nga Gjykata e Ferizajt për dhunë familjare.

Me vendim të Gjykatës, pas divorcimit të çiftit, kujdestaria e  fëmijëve i ka takuar nënës, por për disa muaj ajo nuk e ka takuar djalin e saj 11 vjeçar i cili ka qëndruar tek babai i tij.

Seanca për kujdestarinë e fëmijëve pritet të mbahet në shtator të këtij viti.

Pak më parë KALLXO.com ka raportuar për një vendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj në lidhje me vendimin për dalje nga shtëpia të ish- bashkëshortës së tij M.Z dhe vajzës së tij.

Avokati i zyrtarit A.Z, Fitim Shabani ka reaguar në lidhje me pretendimet e palës duke thënë se  viktima M.Z dhe vajza e saj nuk kanë mbetur pa shtëpi pasi sipas tij, A.Z  i ka ofruar banesë më qira ku është parapaguar për 12 muaj por M.Z nuk ka pranuar.

KALLXO.com ka kontaktuar me M.Z dhe vajzën e saj, të cilat thonë se  i është ofruar një banesë me qira për 12 muaj por ajo nuk ka pranuar sepse rreziku qëndron që nuk do të mund të paguajë më tutje qiranë dhe përfundimisht do të mbesë pa shtëpi.

Në anën tjetër avokati Shabani thotë se M.Z nuk ka mundësi të zgjedhë sepse shtëpia ku po qëndrojnë për momentin është pronë familjare e A.Z.

KALLXO.com muajin e kaluar pati raportuar për të njëjtin rast ku viktima pati treguar se problemet në familje kishin filluar që nga marsi i vitit 2019 ku ish – bashkëshorti i saj kishte dërguar në shtëpi gruan e dytë.

Në atë kohë, KALLXO.com ka provuar të marrë koment edhe nga zyrtari komunal mirëpo i njëjti nuk ka pranuar të flasë. Ndërkaq, Fitim Shabani, avokati i zyrtarit komunal, thotë se klienti i tij është rikther në shtëpi pas 14 muajve pasi që ka qenë e pamundur të qëndrojë diku tjetër.

Punëtori i Komunës së Ferizajt i dënuar për rrahjen e gruas i kërkon edhe të largohet nga shtëpia

P.S- Lajmi është edituar për të përfshirë edhe reagimin e avokatit të palës mbrojtëse.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.