Gjykata e Ferizajt cakton masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për fajde

Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit E.V., shtetas i Kosovës, i dyshuar se ka kryer veprën penale – fajdeja në ndihmë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga muaji dhjetor 2023 në Fushë-Kosovë ka ndihmuar të pandehurin Sh.V. në kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Gjykata ka treguar edhe mënyrën se si E.V. i ka ndihmuar të pandehurit Sh.V. në kryerjen e veprës penale të fajdesë, duke u paraqitur në një objekt afarist në Fushë-Kosovë në emër të një personi tjetër, V.V., e duke iu marrë qiratë qiramarrësve të lokaleve afariste.

Në atë mënyrë që me kërkesën e të pandehurit Sh.V në fillim të çdo muaji ka shkuar te objekti ndërtimor afarist në Fushë Kosovë i cili është pronë e të pandehurit Xh.Sh., dhe është prezantuar me emër V.V., kurse prej qiramarrësve të lokaleve afariste ka marrë qiratë për të pandehurin Sh.V. dhe atë F.H. në shumë prej 300 euro në muaj, S.K. në shumë prej 2.000 euro, J.Sh., në shumë prej 450 euro në muaj, B.M. në shumë prej 250 euro në muaj, A.G., në shumë prej 600 euro në muaj dhe S.K. në shumë prej 250 euro në muaj, duke përfituar dobi pasurore në shumë rreth 40.000 euro” – thuhet në njoftimin e Gjykatës më 25.10.2024.

Si përfundim, gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së.

Sipas njoftimit të Gjykatës, palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.