Gjykata e dënon me 21 vjet burgim të akuzuarin për vrasjen e policit në Skenderaj

Gjykata e Mitrovicës e ka shpallur aktgjykimin në rastin e të pandehurit Maliq Birinxhiku, i akuzuar për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Valon Goxhulit.

Birinxhiku është dënuar me 21 vjet burgim.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com avokatja e palës së dëmtuar, Albana Kelmendi.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzon Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje, me qëllim hakmarrjeje, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi tashmë i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllanë e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij Arsim Fejza, nga vetura “Ford Focus” me targa gjermane, të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve të tjerë – kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku.

Aktakuza thotë se aty i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kishin ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.

Në lidhje me rastin, i ndjeri, Valon Goxhuli, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Mitrovicës, në maj të vitit 2015, nga akuza për vrasjen e Bekim Biringjikut më 2 nëntor 2013, pas një zënke që kishin pasur të dy.

Kurse sipas aktgjykimit të cilin atëkohë e kishte shpallur  gjykatësi Burim Ademi,  vrasja e Bekim Biringjikut nga polici Valon Goxhuli, ishte cilësuar si vrasje në mbrojtje të nevojshme.

Rasti i vrasjes së ish- policit nga Skenderaj, Valon Goxhuli, ishte kthyer në rigjykim.

Në seancën e mbajtur në shkurt të këtij viti janë dëgjuar eksperti i mjekësisë ligjore, Naim Haliti dhe eksperti i balistikës, Lutfi Raci.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorti Njazi Rexha, esperti i mjekësisë ligjore ka shpjeguar se trupi i pajetë i Valon Goxhulit ishte ekzaminuar në Institutin e Mjeksisë Ligjore në shtator të vitit 2015, ndërsa ishte konstatuar se vdekja e të ndjerit kishte qenë e dhunshme, si pasojë e gjakderdhjeve të brendshme dhe të jashtme e cila ka ardhur nga dëmtimet e organeve trupore, në gjoks dhe në bark, e të cilat ishin shkaktuar nga veprimi i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.

Ndërsa eksperti i balistikës, Lutfi Raci, ka thënë se ai kishte bërë ekzaminimin e 37 gëzhojave më 6 nëntor 2015, kurse nga konstatimi që kishin bërë thuhej se të gjitha gëzhojat ishin shkrepur prej një arme të kalibrit të njëjtë, nga një pushkë automatike apo gjysmë automatike të llojit AK47 apo versionit të saj.

Kurse përfaqësuesja e autorizuar e palës së dëmtuar, Albana Kelmendi, kishte propozuar që në gjykatë të ftohej për t’u dëgjuar si dëshmitar zyrtari policor Azem Bulliqi.

Kelmendi e ka arsyetuar propozimin e saj duke thënë para trupit gjykes se zyrtari policor Bulliqi do të sqaronte bisedën e dëgjuar përmes masave të fshehta dhe siç thuhej në kallëzim penal, ku Bulliqi dëgjohej duke biseduar me Ramadan Birinxhikun – babanë e të akuzuarit.