Gjykata e aprovon marrëveshjen për ndërmjetësim për rastin e rrahjes në Kuvend
Gjykata e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për ndërmjetësim për përleshjen fizike që kishte ndodhur më 13.07.2023 në Kuvendin e Kosovës mes disa zyrtarëve të qeverisë e disa deputetëve të PDK-së.
“Aprovohet marrëveshja Nd.436/24, e dt.08.08.2024, e lidhur në Qendrën e Ndërmjetësimit në Prishtinë, në mes të palëve B.B., H.B., M.L. dhe B. H., në njërën anë dhe H. M., në anën tjetër” – thuhet në vendimin e datës 02.09.2024.
Mbi bazën e këtij vendimi akuza e prokurorisë për Besnik Bismilin, Mërgim Lushtakun, Bekim Haxhiut dhe Hajdar Beqën është hedhur poshtë.
“Hudhet aktakuza, e datës 24.10.2023 dhe pushohet procedura penale kundër të pandehurve B. B., M. L. dhe H. B. për shkak të veprës penale Sulmi dhe për B. H., për shkak të veprës penale Lëndim i lehtë truporë”- thuhet në vendimin e Gjyqtarit, Eroll Gashi.
Marrëveshja e lidhur mes palëve në procedurë është konsideruar nga Gjyqtari, Gashi që i përmbushë të gjitha elementet për aprovim.
Marrëveshja është lidhur me datë 08.08.2024 ndërsa e njëjta është aprovuar nga Gjykata më datë 02.09.2024.
Si erdhi rasti deri tek ndërmjetësimi?
Në seancën e datës 28.05.2024 Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu kishin zgjedhur që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësim.
Ndërsa, që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësim ishte pajtuar edhe pala e dëmtuar, ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ndërmjetësimi mund të aplikohet për veprat penale të cilat janë të dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tri vite.
Afati për të arritur marrëveshje në procedurë të ndërmjetësimit është deri në 90 ditë, përveç nëse vazhdohet me ligjin për ndërmjetësim.
Në momentin kur një lëndë procedohet me ndërmjetësim, lëndën për trajtim e merr zyra për ndërmjetësim e cila ka rolin e pavarur. Rastin në ndërmjetësim mund të referohet nga prokurori dhe gjyqtari.
Prokurori mund ta dërgojë lëndën në ndërmjetësim nëse nuk ka të ngritur aktakuzë ndaj një ose disa personave, kurse pas ngritjes së aktakuzës, ndërmjetësimi udhëzohet nga Gjyqtari i vetëm Gjykues.
Nëse palët arrijnë marrëveshje në procedurën e ndërmjetësimit, ajo marrëveshje i dërgohet Gjykatës dhe gjyqtari do të marrë aktvendim për hedhjen e aktakuzës.
Çka përmban aktakuza e Prokurorisë për përleshjen në Kuvendin e Kosovës?
Sipas dosjes së Prokurorisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi akuzohet për përdorimin e forcës fizike ndaj deputetit Mërgim Lushtaku gjatë seancës së rregullt plenare të Kuvendit të Kosovës.
Incidenti ndodhi pasi Bislimi e kishte hequr një fotografi të kryeministrit Albin Kurti në formën e Pinokios, e cila ishte vendosur paraprakisht nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas dosjes së Prokurorisë, në këtë moment, deputeti Mërgim Lushtaku, në shenjë revolte, u ngrit nga vendi i tij dhe u drejtua drejt foltores ku ndodhej kryeministri dhe me një shishe të vogël me ujë që mbante në duar, hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti.
Më pas, Bislimi, në shenjë revolte me gjendjen e krijuar, e ka përdorur shishen e tij të ujit, duke e gjuajtur dhe goditur në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku.
Pasi kjo ndodhi, ai gjithashtu e ka goditur edhe me grushte dore në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku.
Veprime të cilat, sipas dosjes së prokurorisë, janë regjistruar dhe shihen në kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.
Më këto veprime, sipas Prokurorisë i pandehuri Bislimi ka kryer veprën penale – sulmi, të paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, deputeti Mërgim Lushtaku sipas dosjes së prokurorisë, ka përdorur po ashtu forcë fizike kundër tani të dëmtuarit Besnik Bislimi, ashtu që pas krijimit të situatës së eskaluar në Kuvend, të përshkruar si më lartë, tani i pandehuri Mërgim Lushtaku me dashje e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Bislimin, duke e goditur të njëjtin me shuplakë në fytyrë, veprime të cilat janë regjistruar dhe shihen në kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit. Sipas Prokurorisë me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale – sulmi.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes njoftimit për media, më 30.10.2023 kishte bërë të ditur se pas zhvillimit dhe zgjerimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu.
Kjo aktakuzë ka të bëjë me veprimet apo ngjarjen e datës 13.07.2023, gjatë mbajtjes së një seance plenare në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, e që ndodhi një përleshje fizike mes deputetëve.
Sipas akuzës, të pandehurit Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, ngarkohen për veprën penale – sulmi sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri Hajdar Beqa akuzohet edhe për veprën penale – asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.
Në lidhje me të pandehurin Bekim Haxhiu, sipas prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer edhe veprën penale – lëndimi i lehtë trupor duke u bazuar në dispozitat e KPRK-së.
Prokuroria Themelore i kishte propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të ndëshkohen në përputhje me ligjin për veprat penale për të cilat janë akuzuar.
KALLXO.com pati raportuar se gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ndodhi përplasja fizike në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë kohës sa ministri i Financave, Hekuran Murati është ngritur nga karrigia e tij, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të tij dhe më pas ka ndodhë një përleshje fizike.