Shpallja e Aktgjykimit ndaj të akuzuarit për krime lufte, Zoran Gjokiq - FOTO: Shyhrete Maliqi - KALLXO

Gjykata e Apelit vërteton dënimin e Zoran Gjokiqit me 12 vite burgim për akuzat e krimeve të luftës

Gjykata e Apelit vërteton dënimin e Zoran Gjokiqit me 12 vite burgim për akuzat e krimeve të luftës

Me të njëjtin aktgjykim, Gjykata e Apelit refuzoi si të pabazuar ankesat e Prokurorisë Speciale dhe avokatit Ljubomir Pantovic, ndërsa hodhi poshtë si të palejueshme ankesën e përfaqësuesit të dëmtuarve.

Gjykata e Prishtinës më 11 shkurt të këtij viti Gjokiqin e kishte gjetur fajtor për bashkëkryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në Lagjen “Kristal” dhe “Te Soliterat”, në Pejë, duke i dhënë 12 vjet burgim efektiv.

Por me këtë dënim nuk ishin pajtuar Prokuroria Speciale e Kosovës dhe avokati Ljubomir Pantoviq mbrojtësi i të akuzuarit Zoran Gjokiq.

Poashtu ankesë për shkak të lartësisë së dënimit kishte paraqitur edhe avokati Kujtim Kërveshi përfaqësues i të dëmtuarave, ai në ankesë kishte kërkuar që Gjokiqit t’i shqiptohet dënim më i lartë.

Prokuroria Speciale nga Apeli kishte kërkuar që Gjokiqit t’i shqiptonte dënim më të lartë ose çështjen ta kthente në rigjykim për rivendosje.

Ndërsa mbrojtja e Gjokiqit kishte kërkuar lirimin e të akuzuarit pasi sipas tij nuk është arritur të vërtetohet se Gjokiq ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet ose lëndën ta ktheje në rigjykim.

Gjyakata e Apelit fillimisht kishte gjetur se aktgjykimi dënues i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Tutje Apeli gjeti se mjaftueshëm janë elaboruar arsyet për dënimin e Gjokiqit, pasi janë analizuar dhe shteruar mirë deklaratat e dëshmitarëve sidomos dëshmitares së drejtpërdrejtë Valbona Berishës.

Sipas aktakuzës të ndryshuar Gjokiq, akuzohet se gjatë muajit mars – prill, të vitit 1999 me datë 29 mars të vitit 1999, në lagjen “Kristal” në Pejë, së bashku me dy persona të tjerë duke qenë pjesë e një grupi kriminal, kanë kryer krime kundër popullsisë civile.

Sipas akuzës, Gjokiq së bashku me dy personat e tjerë të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare kanë plaçkitur dhe detyruar popullsinë civile të zhvendosen në një vend tjetër.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zoran Gjokiq, me personat tjerë, kishte shkuar në lagjen “Kristal” të Pejës, ku kishte marrë pjesë në aksionin për vrasjen dhe dëbimin e qytetarëve shqiptar nga shtëpitë e tyre.

Sipas aktakuzë, deri sa familja e të dëmtuarit L. H., i, gjegjësisht vëllai i tij B., dhe fëmijët e tyre, kanë qenë duke u larguar nga shtëpia e tyre, gjatë kohës sa kanë qenë duke u futur në veturën ‘Yugo’ 45A, kanë tentuar që ta ndalin duke iu drejtuar me fjalët “ndalu, ndalu”.

Viktimat nuk janë ndalur dhe sipas aktakuzës, me qëllim që t’i privojnë nga jeta kanë shtënë me amë në drejtim të tyre. Nga të shtënat janë plagosur të dy djemtë e të dëmtuarit L. H,. dhe djali i madh i L., i moshës 9 vjeçare.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gjokiq së bashku me dy personat e tjerë fillimisht kishte shtënë në të dëmtuarit L., pastaj kanë hyrë në shtëpinë e tij ku e kanë plaçkitur dhe ia kanë marrë të gjitha të holla që i kishte, duke e detyruar që bashkë me bashkëshorten dhe kunatën e tij të largohen nga shtëpia e tyre.

Tutje aktakuza thotë se i akuzuari Gjokiq së bashku me personat tjerë kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit F. H.

Kur e kishte kuptuar se ishin brenda e tërë familja, me qëllim që t’i privoj nga jeta, me një shkrepës kishin ndezur një lloj bombe dhe kishin shkaktuar zjarre në drunjtë që ishin në oborrin e shtëpisë. Si pasojë e zjarrit shtëpia e të dëmtuarit F.H. është djegur, ndërsa i akuzuari bashkë kryerësit ishte larguar.

Tutje aktakuza shpjegon se si i akuzuari Gjokiq së bashku me dy personat e tjerë kishte hyrë edhe te shtëpia e H. M., (tani më i ndjerë).

H.M. kishte qenë në shtëpinë e tij së bashku me familjen e tij dhe familjen e vëllait të tij S., (tani i ndjerë) dhe me familjen e të dëmtuarit Sh. K..

Sipas aktakuzës, të dyshuarit i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, por fillimisht e kishin rrahur tani të dëmtuarin Sh., pastaj i kanë maltretuar edhe të ndjerët H., dhe S. Z., i kanë plaçkitur, i kanë detyruar t` ua dorëzojnë të gjitha të hollat që i kishin ata dhe familjet e tyre. Përveç të hollave, atyre iu ishin marrë edhe stolitë e arit.

Po ashtu në këtë pikë të akuzës thuhet se në oborrin e kësaj shtëpie e kishin rrahur përsëri të dëmtuarin Sh., duke e goditur në fytyrë, duke ia thyer dhëmbët, përderisa të dëmtuarin S., e kishin detyruar të sigurojë të holla tjera, e kishin vrarë H.

Në pikën e katërt të aktakuzës thuhet se pastaj me të arritur S., që kishte shkuar për të siguruar të holla, pasi e kishte parë vëllain e ndjerë H., në gjendje të keqe i njëjti kishte filluar të bërtiste ishte detyruar tu dorëzonte 1 mijë marka dhe të largohej nga shtëpia.