Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin e Telekomit dhe “Z-Mobile”

Gjykata e Apelit ka kthyer në pikën zero rastin mes Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës” dhe kompanisë Dardafon (Z-Mobile).

Lajmi është konfirmuar nga zyra për media e Telekomit.

Apeli anuloi një aktvendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës i vitit 06.07.2020.

“Aprovohet si e themeltë ankesa e të autorizuarit të debitorit “Telekomi i Kosovës” sh.a, me seli në Prishtinë, anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPP.nr.1486/19 i datës 06.07.2020 dhe çështja i kthehet të së njëjtës gjykatë në procedim të serishëm”, thuhet në aktvendimin e gjykatës së shkallës së dytë.

Për lajmin ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve e Telekomit.

“FSP-PTK edhe njëherë ju bën thirrje të gjitha Institucioneve të Republikës së Kosovës që të hetoni nga fillimi nënshkrimin e kësaj kontrate për demet financiare që janë shkaktuar Telekomit të Kosovës dhe të vazhdon me kontratat të tjera që kanë qenë dhe janë zhvatje e buxhetit të Telekomit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar  se  kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Gjykata vendos në favor të Z-Mobile, lejon përmbarimin milionësh ndaj Telekomit

www.kallxo.com