I akuzuari në këtë rast, dyshohet se me paratë e Radio Kosovës, bleu radiator për shtëpi

Në seancën ndaj Bajram Shehut, ish-shef i kontabilitetit në Radio Kosovë të akuzuar për dy vepra të përvetësimit në detyrë, është dëgjuar sërish eksperti financiar gjyqësor, por dhe dy përfaqësues të bankave.

Eksperti financiar gjyqësor, Mentor Prekazi tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna më herët.

“Duhet të kemi parasysh se të gjitha të dhënat financiare, të bëra nga eksperti i autorizuar financiar i policisë së Kosovës, kam pas për detyrë t’i krahasoj se a janë të sakta, me të dhënat e marra nga ana e Prokurorisë. Janë të cekura provat nga të cilat janë marrë të dhënat”, tha Prekazi.

Ndërsa këshilltari ligjor nga Raiffeisen Bank, Fatlind Shala tha se “nuk ka kredi pa destinim”.

“Nuk ka kredi pa destinim, përveç disa kredi që merren për çështje personale, që lëshohen me një shumë të caktuar e që shkojnë për nevoja personale”, tha Shala.

Përfaqësuesja nga Procredit Bank, Edona Selimi-Cakolli tha se Bajram Shehu ka marrë kredi për destinim në shumë prej 15,000 eurove, në afat kohor prej 60 muajsh.

“Kredia është kryer dhe ka qenë e destinuar për kredi banesore”, tha Selimi-Cakolli.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Shehu, Fehmije Gashi-Bytyqi tha se eksperti financiar nuk e ka bërë vlerësimin objektiv të rrethanave dhe se sipas saj, ai ka luajtur rolin e hetuesve dhe Prokurorisë.

“Duhet një super ekspertizë financiare, pasi eksperti financiar nuk ka mundur të përgjigjet dhe në parashtresën e dorëzuar, duke mos mundur të argumentojë ekspertizën e vet thirret në ekspertizën e Ferdeze Tërshnjakut, e që ajo analizë është bërë nga ana e Policisë. Ne e dimë se s’mund t’i japim besimin një prove të cilës ia ka dhënë bazën Policia, pasi në praktikën gjyqësore është dëshmuar që Policia është e njëanshme dhe s’është e përgatitur për ekspertizë të natyrës financiare”, tha avokatja Gashi-Bytyqi.

Seanca e radhës u caktua për datën 3 qershor.

Kujtojmë se më 18 mars 2019, pas pranimit të fajësisë, të akuzuarit për veprat penale të përvetësimit në detyrë, i është shqiptuar dënimi me 3 vite e 2 muaj burgim dhe i është konfiskuar vetura dhe shtëpia në lagjen “Kalabria”.

Gjykata e Apelit më 16 maj 2019, kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së të dënuarit dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndërsa sa i përket këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, mbrojtja e të akuzuarit Shehu, avokatja Gashi-Bytyqi kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

E me këtë ka kërkuar që Supremja të bëjë anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe të dytë, gjithashtu kishte kërkuar që klienti i saj të lirohet nga shqiptimi i dënimit plotësues, sa i përket konfiskimit të shtëpisë.

Gjykata Supreme me aktgjykimin e datës 17 tetor 2019, ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë, ashtu që me këtë ka kthyer në rivendosje çështjen penale në fjalë.

Supremja ka kërkuar që për konfiskimin e shtëpisë, Gjykata themelore të sqarojë arsyet, sa i përket konfiskimit të pasurisë të bijës, së të akuzuarit Shehu.

Aktakuza thotë se më datë të pacaktuar, prej vitit 2007 deri në vitin 2012, i pandehuri Bajram Shehu, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në Prishtinë, në pozitën shef i kontabilitetit, gjatë punës së tij, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, nga mjetet të cilat i janë besuar atij, nga llogaria bankare e Radios Televizionit të Kosovës i ka bartur në xhirollogarinë e firmës së tij NSH “Pastrimi” shumën e të hollave prej 331,350.87€.

Tutje thuhet se këto të holla i ka përvetësuar për veti, me ç’rast të dëmtuarës, Radios Kosovës i ka shkaktuar dëm të përgjithshëm në vlerë prej 331,350.87€.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se datë 31 gusht 2012, i pandehuri Bajram Shehu, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në Prishtinë, në pozitën shef i kontabilitetit, gjatë punës së tij, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, me mjetet cilat i janë besuar për kryerjen e obligimeve për nevoja të Radio Kosovës, i pandehuri Bajram Shehu në firmën e “Adria 7”, e cila gjendet në Prishtinë, nga pronari i kësaj firme Alban Krasniqi, ka blerë 12 radiatorë për nxemje qendrore.

E këta radiatorë thuhet se, i ka blerë me faturë nr.473/12 në vlerë prej 523.82€ dhe me faturë 474/12 të datës 31 gusht 2012 në vlerë prej 537.68€, të dy faturat në vlerë të përgjithshme prej 1,061.50€, të cilët radiatorë i ka paguar me mjete të Radio Kosovës.

Tutje ceket se radiatorët e blerë me të holla të Radio Kosovës, i ka përvetësuar për vete, duke i dërguar dhe vendosur në shtëpinë e tij, me çka të dëmtuarës, Radio Kosovës i ka shkaktuar dëm material.

Eksperti financiar dëshmon në gjykimin për vjedhjen e mbi 332 mijë eurove të Radio Kosovës