Gjykata do të lëshojë urdhër-arrest ndaj vëllait të ish-ministrit Ramë Buja
Në mungesë të të akuzuarve, ka dështuar të mbahet seanca ndaj Abdyl Bujës – vëllait të ish-ministrit Ramë Buja.
Në këtë raste të akuzuar janë edhe Mentor Ismajli,Alban e Rizah Azemi dhe Fetih Ismajli, të cilët akuzohen për marrje të ryshfetit dhe legalizim të përmbajtjes së rreme në tentativë.
Kryetarja e trupit gjykues Nushe Meka- Kukaj, njoftoi se të akuzuarit ftesat i kanë pranuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.
Gjithashtu e njëjta njoftoi se Gjykata do të lëshojë urdhëresë, për sjellje me detyrim për të akuzuarin Avdyl Buja.
Kurse të pranishëm në seancën e sotme ishte i akuzuari Mentor Ismajli dhe dëshmitarët Suzana Fejzullahu dhe Izet Zeqiri.
Në mungesë të kushteve ligjore seanca e radhës është caktua për datën 11 nëntor.
Të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Albisian Fazliu, Muhib Fazliu, Rajmonda Borovci, Granit Kastrati dhe Hyrije Koraqi, për të cilët gjykata ka hedhur poshtë aktakuzën, me ç’rast ndaj tyre ka arritur parashkrimi.
Sipas Prokurorisë i akuzuari Abdyl Buja me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do t`i fsheh provat e veprës së kryer penale.
Sipas Prokurorisë i akuzuari Buja duke qenë i vetëdijshëm për qëllimin e takimit është takuar me Albisjan Fazliun dhe Feti Ismajlin në Lipjan me dëshirë që të regjistrojë Albisianin në degën e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në UP në Prishtinë, pas dështimit të tij për të kaluar provimin pranues. Sipas Prokurorisë, kjo është arritur duke i lëshuar vërtetim nga administrata qendrore e UP-së si student në vitin akademik 2011/12 në këmbim të parave në shumën prej 3000 euro.
Sipas aktakuzës Abdyl Buja me dashje ka kërkuar përfitim nga i pandehuri Albisjan Fazliu për vete dhe një zyrtar të panjohur për një veprim që nuk është dashur të kryhet.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Buja me vetëdije të plotë ka kërkuar 12 mirë euro me dëshirë që të përfitojë materialisht duke e këshilluar se nga dega e Stomatologjisë ka për të ja lëshuar diplomën e kryerjes së këtij Fakulteti.
Prokuroria e akuzon Abdyl Bujën edhe se së bashku me Mentor Ismajlin kishin marrë nga e pandehura Rajmonda Borovci shumën prej 5000 euro për ta regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë së UP-së dhe duke i premtuar se përmes autoritetit dhe emrit të ish-ministrit të arsimit Ramë Buja do t`i nxisin personat zyrtarë të këtij fakulteti që e njëjta të regjistrohet në këtë fakultet pa i respektuar procedurat ligjore të regjistrimit.
Të njëjtit akuzohen edhe se kishin nxitur të pandehurën Hyrije Koraqi që të jap shumën prej 2,000 euro duke i premtuar se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij Fakulteti, do t’ia rregullojnë pozitën e saj me kontratë formale nga kontrata si asistente e angazhuar e kimisë analitike në asistente të rregullt të Fakultetit të Mjekësisë.
Abdyl Buja së bashku me Rizah Azemin dhe Alban Azemin akuzohet edhe për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme në tentativë, sepse me dashje kanë tentuar t`i vënë në lajthim zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë përmes dokumentit publik të falsifikuar.
Pazaret në Fakultetin e Mjekësisë, vëllai i ish-ministrit Ramë Buja në bankën e të akuzuarit
Pazaret në Fakultetin e Mjekësisë, vëllai i ish-ministrit Ramë Buja në bankën e të akuzuarit