Gjykata detyron Komunën e Gjakovës t'ia paguajë një kompanie 1.5 milion euro për disa prona

Komuna e Gjakovës do të detyrohet t’ia paguajë një kompanie private mbi 1.5 milion euro, për kompensimin e disa pronave të shpronësuara.

Gjykata Themelore në Gjakovë, me datë 24 maj 2021, ka vendosur në favor të kompanisë private ‘Capital Point Investment’ dhe ka detyruar Komunën e Gjakovës që t’i paguajë kësaj kompanie shumën prej 1 milion e 532 mijë e 384 eurove.

Sipas Gjykatës, kryetari i Komunës së Gjakovës me datë 3 qershor 2020, ka marrë vendim që të bëhet shpronësimi për interesin publik të katër parcelave, që kanë qenë në pronësi të kompanisë private ‘Capital Point Investment’.

Ndërsa në bazë të një vlerësimi të Ministrisë së Financave – Zyra për Vlerësimin e Pronës së Paluajtshme, i janë marrë për shpronësim, pronat në fjalë pronarit të lartëcekur, me sipërfaqe të përgjithshme prej 16,532 metra katror, me shumë të përgjithshme prej 738 mijë e 831 eurove. Ndërsa po ashtu, Zyra për Vlerësimin e Pronës së Paluajtshme nuk e ka llogaritur fare humbjen e vlerës së pronave, të cilat kanë mbetur të pashpronësuara.

Kompania ‘Capital Point Investment’ nuk është pajtuar me shumën e propozuar për shpronësim, prej 738 mijë e 831 eurove dhe ka paraqitur ankesë pranë Gjykatës Themelore të Gjakovës, me kërkesën që të ndryshohet vendimi i Komunës së Gjakovës.

Kompania në fjalë ka kërkuar që për shpronësimin e pronave, Komuna e Gjakovës të paguaj shumën prej 2 milionë e 692 mijë eurove, si dhe shumën tjetër në emër të humbjes së vlerës për pronat e pashpronësuara, prej 2 milion e 45 mijë eurove.

Gjykata Themelore në Gjakovë, pas zhvillimit të procedurave, përfshirë edhe daljen e ekspertëve përkatës në terren, ka caktuar që Komuna e Gjakovës kompanisë private ‘Capital Point Investment’ duhet t’i paguajë 988 mijë e 198 euro për pronat e shpronësuara, pasi deri më tani kësaj kompanie i janë paguar 150 mijë euro, nga 738 mijë eurot e vlerësuara në fillim.

Po ashtu, Komuna e Gjakovës është detyruar nga Gjykata që t’ia paguajë kompanisë private në fjalë, edhe 544 mijë e 186 euro, në emër të humbjes së vlerës për pronat e pashpronësuara.

“Caktohet kompensimi për paluajtshmërinë e shpronësuar të ish pronarit ‘Capital Point Investment’, për parcelat kadastrale. Detyrohet Komuna e Gjakovës, si shfrytëzuese e shpronësimit, që ish pronarit të lartpërmendur t’ia paguajë shumën prej 988 mijë e 198 eurove, me kamatë ligjore prej 8% në nivel vjetor, e cila fillon të rrjedhë nga dita e marrjes së aktvendimit e tutje”, thuhet ndër të tjera në Aktvendimin e Gjykatës Themelore.

Njëjtë është caktuar edhe për humbjen e vlerës për pronat e pa shpronësuara.

“Detyrohet Komuna e Gjakovës, që propozuesit ‘Capital Point Investment’ në emër të humbjes së vlerës për pjesët e mbetura të pashpronësuara t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 544 mijë e 186 eurove”.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjakovës për të marrë vesh se a do të apelohet ky vendim i Gjyaktës Themelore, në Gjykatën e Apelit, si dhe me çfarë buxheti do të paguhet ky kompensim, por deri në publikimin e këtij shkrimi, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.