Selami Simsek në Gjykatën e Tiranës më 27 Janar 2020. Foto: Malton Dibra/LSA

Gjykata dënon shtetasin turk që ka kërkuar azil në Shqipëri

Gjykata e Tiranës pranoi të plotë kërkesën e prokurorisë për dënimin e një shtetasi turk të kapur me vizë kanadeze të falsifikuar, i cili duket se ishte në përpjekje për t’i shpëtuar përndjekjes si anëtar i dyshuar i lëvizjes Guleniste në atdheun e vet Turqi, ku kjo lëvizje konsiderohet si organizatë terroriste.

Në procesin gjyqësor të zhvilluar të hënën, Selami Simsek u dënua me një vit e gjysmë burg, ndërsa përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak se ka pranuar fajin dhe ka shprehur pendesë.

Avokati i tij Elton Hyseni i kërkoi gjykatës një trajtim më të butë, si lirimin e tij me kusht pasi ka qëndruar në regjim paraburgimi që nga 8 korriku i kaluar, e barazvlefshme me 10 muaj burg të rregullt. Kërkesa e tij u hodh poshtë. Simsek pritet të lirohet pas rreth dy muajsh.

Veçmas procesit penal, Simsek ka dorëzuar një kërkesë për azil politik në Shqipëri në përpjekje për të shmangur ekstradimin në Turqi.

Në një dokument të shkruar me dorë dhe të publikuar më herët nga Neës 24, Simsek thotë se në Turqi rrezikon të keqtrajtohet pasi dyshohet si anëtar i lëvizjes Gulen.

Asgjë nga këto nuk u diskutua në Gjykatën e Tiranës të Hënën më 27 Janar, ku Simsek u përball me akuzën e përdorimit të dokumenteve te falsifikuara.

Prokuroria e Tiranës e përfaqësuar nga prokurorja Anila Galanxhi tha se akuza e falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave është provuar dhe pranuar nga vetë Simsek ndërsa e konsideroi këtë veprimtari si me rrezikshmëri të lartë.

Avokati mbrojtës u përpoq të argumentojë se Simsek e ka pranuar fajin, ka kryer sakaq 10 muaj paraburgim dhe është babai i dy fëmijëve, por gjyqtari Ahmet Metaliaj pranoi kërkesën e prokurorisë.

Simsek u ndalua në Rinas në të njëjtën ditë me Harun Çelik, një shtetas tjetër turk mësues, i cili dukej se po përpiqej të largohej nga Kazakistani për në Kanada si refugjat politik i përndjekur në Turqi si anëtar i lëvizjes Gulen.

Ndryshe nga Simsek, Çelik u dënua me 13 muaj burg dhe pasi qëndroi vetëm pesë muaj e gjysmë në paraburgim, u hip me forcë në një avion të kompanisë ajrore Air Albania për në Stamboll, ku mësohet se u arrestua nga autoritetet turke.

Gazetarët zbuluan më vonë se si autoritetet policore shqiptare duket se injoruan thirrjet e dëshpëruara të Çelik për azil politik në Shqipëri gjë që ngriti pikëpyetje mbi kredencialet e Shqipërisë si vend i sundimit të ligjit. (reporter.al)