Ilustrim

Gjykata dënon deçanasin, gjuajti me armë në natën e Vitit të Ri

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar një person nga komuna e Deçanit, pasi që kishte gjuajtur me armë zjarri në natën e Vitit të Ri.

Sipas gjykatës, i dyshuari me datë 1 janar 2021 kishte shtënë me armë zjarri, për të cilën kishte leje. Me datë 14 janar Policia kishte shkuar në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat në Deçan, ku ishte takuar me babanë e tij, pasi që i dyshuari ishte jashtë vendit.

Babai i tij e kishte pranuar se është djali i tij ai që shihet në videoincizim duke shtënë me armë dhe në të njejtën kohë dorëzon 1 pistoletë me gaz, pa leje dhe pistoletën tjetër me leje.

Sipas Gjykatës, me këtë rast i dyshuari kishte kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Për këto arsye, Gjykata Themelore në Pejë për veprën e parë ka shpallur fajtorë të dyshuarin të cilit i është caktuar dënimi me gjobë prej 300 eurove, të cilën duhet ta paguajë brenda 15 ditëve.

Nëse i dënuari nuk e paguan atë në afatin e caktuar, do ta zëvendësoi me dënim burgu duke iu llogaritur një ditë burgim për çdo 20 euro.

Ndërsa për veprën e dytë i është caktuar dënim me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë tjetër vepër penale brenda periudhës prej 1 viti.

Gjithashtu, të akuzuarit i janë konfiskuar të dyja pistoletat, dy karikatorë dhe 22 copë fishekë.