Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata dënoi tre persona, nuk i kishin vendosur shenjëzimet gjatë punimeve në rrugë

Gjykata e Prizrenit ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarve E. G., D. G., dhe B. M., për shkak të kryerjes së veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Fatmir Krasniqi.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate të akuzuarit E. G., D. G., dhe B. M., në korrik të vitit 2016, rreth orës 21:30 minuta në Prizren, në lagjen ‘Arbana’, në rrugën transit në bashkëveprim, dhe në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me ligj në cilësi të pronarëve dhe personave përgjegjës, nga pakujdesia dhe duke mos mbikëqyr punimet nuk i vendosin pajisjet për mbrojtje dhe sigurinë e jetës së njerëzve.

Me këto veprime kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që e dëmtuara E. K., si pasojë e mos vendosjes së kapakëve në pusetat e hapura dhe mos vendosjes së shenjave sinjalizuese, apo shiritit tregues nga kompania e cila po zhvillon punimet në atë rrugë, e dëmtuara bie në pusetën e hapur ku edhe pëson lëndime të lehta trupore.

Andaj Gjykata pas zhvillimit të procedurës gjyqësore të akuzuarit E. G., D. G., B. M., i ka dënuar me nga 6 muaj dënim me burg, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Por pas shpalljes së aktgjykimit, me propozimin e mbrojtësit dhe me pëlqimin e të akuzuarve (në kuptim të Kodit Penal të Kosovës), dënimi me burgim u është zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumën prej 1,000 (njëmijë) euro, për secilin të akuzuar veç e veç.

Të akuzuarit janë obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, ashtu që secili veç e veç obligohet të paguajë shumën prej 30 euro, dhe shumën prej 50 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit dhe shumën prej 20 euro në emër të ekspertizës mjeko – ligjore, secili veç e veç.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit